Reformat e financave publike janë thelbësore në procesin e integrimit evropian, për të shmangur vlerësimet tepër optimiste të Qeverisë ose planet e paqëndrueshme të shpenzimeve publike që mund të çojnë në disbalanca fiskale, tha ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, në fjalimin e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit në Komisionin Parlamentar.
“Reformat e financave publike janë thelbësore për secilin vend, i cili është duke u përgatitur për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, e të cilat janë paraparë në klasteret themelore. Bashkimi Evropian që nga viti 2018 është duke e përkrahur fuqishëm reformën në financat publike, edhe atë me projekte në vlerë të përgjithshme prej mbi 13 milionë euro.”, – deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
Rregullat fiskale pa vullnet politik për t’i zbatuar ato nuk garantojnë politika fiskale të përgjegjshme. Banka Botërore paralajmëron rritje të ndjeshme të borxhit publik dhe Bashkimi Evropian i bën thirrje Qeverisë që të shmangë vlerësimet tepër optimiste të shpenzimeve publike për të shmangur disbalancat fiskale. Borxhi publik i Maqedonisë është rritur ndjeshëm, duke arritur në 62.4 për qind.
“Kjo përqindje është më e lartë për 14 për qind, krahasuar me vitin para pandemisë. Kjo varet nga deficitet e vazhdueshme fiskale nga pandemia, e të cilat në bazë të përllogaritjeve ka rezultuar me 5 për qind në nivel vjetor.”, – theksoi përfaqësuesi i Bankës Botërore, Maksimiliano Paoluçi.
“Sigurisht se përllogaritjet ekonomike nacionale janë shumë të rëndësishme për buxhetin shtetëror dhe në bazë të kësaj vendoset bazë për atë që mendoni se po ndodh me buxhetin e brendshëm. Qeveritë ndonjëherë kanë pritje më optimiste drejt së ardhmes në krahasim me atë se çka do të ndodhë. Por, Bashkimi Evropian mund të ofron masa të mira me të cilat mund të neutralizohen këto çështje.”, – u shpreh përfaqësuesi i BE-së, Kristian Ueis.
Kryetari i Këshillit Fiskal, Bishev, potencon mungesën e profesionalizmit mbi parashikimet ekonomike.
“Ajo që mbetet për t’u bërë është që të ndërtojmë kapacitet njerëzor të të punësuarve, të cilët do të mund të bëjnë analiza adekuate, mendime, t’i ndjekin lëvizjet dhe parashikimet makroekonomike dhe t’i përcjellin në Qeveri dhe në Ministri të Financave rreziqet potenciale.”, – deklaroi kryetari i Këshillit Fiskal, Gligor Bishev.
Ndërkohë ministrja e Financave, Koçovska, thotë se si qeveri do të angazhohen t’i implementojnë konstatimet e Këshillit Fiskal.
“Strategjia fiskale që u përgatit nga ana e Ministrisë së Financave në shtator të vitit 2024 kishte për qëllim konsolidimin fiskal, e cila nuk mund të arrihet brenda natës, sepse kur keni pasur shpenzime të larta dhe shkelje të rregullave për periudhë të gjatë, duhet kohë që të impelementohet konsolidimi fiskal.”, – theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
Prezantimi mbi qeverisjen fiskale në BE theksoi rolin e këshillave fiskale që ofrojnë mbikëqyrje të pavarur dhe monitorojnë pajtueshmërinë me rregullat fiskale. Deri më tani, 13 milionë euro janë derdhur në vend përmes fondeve evropiane për reformat e financave publike.