Rokas: Është e nevojshme të vendosen ligje dhe mekanizma që mbrojnë dhe mbështesin të drejtat e grave

Është e nevojshme vendosja e ligjeve dhe mekanizmave që mbrojnë dhe mbështesin të drejtat e grave, përfshirë ato me aftësi të kufizuara. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë së bashku me autoritetet, shoqërinë civile, komunitetet lokale këtu në Maqedoninë e Veriut, për të siguruar që asnjë grua, asnjë vajzë, pavarësisht nëse është me aftësi të kufizuar apo jo, të mos mbetet pa mundësi të barabarta, tha sot ambasadori i BE-së Mihalis Rokas në Veles në konferencën kombëtare “Së bashku jemi më të fortë”, organizuar nga Shoqata e personave me paralizë cerebrale dhe aftësi të tjera të kufizuara.
Siç theksoi Rokaas në fjalimin e tij, ndërtimi i një shoqërie më gjithëpërfshirëse kërkon një gamë të gjerë aktivitetesh, nga investimi në infrastrukturën e aksesueshme, te sigurimi i aksesit të barabartë në arsim, kujdes shëndetësor, punësim ose shërbime sociale.
“Kjo kërkon vëmendjen tonë kolektive dhe veprimin tonë për të mos lënë askënd pas. Në Bashkimin Evropian, ne jemi plotësisht të përkushtuar për të promovuar barazinë gjinore dhe për të garantuar mundësi të barabarta për personat me aftësi të kufizuara. Ndërtimi i një shoqërie më gjithëpërfshirëse kërkon një gamë të gjerë aktivitetesh, nga investimi në infrastrukturën e aksesueshme, tek sigurimi i aksesit të barabartë në arsim, kujdes shëndetësor, punësim apo shërbime sociale, deri te fuqizimi i grave për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në çdo nivel”, tha Rokas.
Për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, Rokas thotë se është e nevojshme të punohet me Qeverinë për transformimin e institucioneve rezidenciale në shërbime lokale sociale dhe shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara, si dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në zhvillimin e politikave për përfshirjen sociale dhe ekonomike të personave me aftësi të kufizuara.
“Kjo do të thotë të punojmë së bashku me Qeverinë për të transformuar institucionet rezidenciale në shërbime sociale dhe shëndetësore lokale për personat me aftësi të kufizuara. Kjo nënkupton mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile për t’u angazhuar në zhvillimin e politikave për përfshirjen sociale dhe ekonomike të personave me aftësi të kufizuara. Kështu, ne do të mbështesim të gjitha këto përpjekje, sot dhe çdo ditë, për të çuar përpara barazinë gjinore dhe për t’u dhënë grave me aftësi të kufizuara dhe nga zonat rurale njohjen, burimet dhe mundësitë që meritojnë”, nënvizoi Rokas.