Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka reaguar ndaj gjestit të Rasmus Højlund, i cili gjatë ndeshjes së Danimarkës ndaj Portugalisë festoi në mënyrë të ngjashme me ikonën e futbollit, teksa ky i fundit e shikonte.

Për disa, kjo mund të interpretohej si një provokim, por Ronaldo e ka sqaruar që nuk e sheh këtë si një mungesë respekti.

“Højlund duke bërë festimin tim nuk është problem. E di që nuk ishte nga mosrespekti”, u shpreh kapiteni i Portugalisë.

Ai gjithashtu shtoi se festimi i tij është bërë një simbol në botën e sportit dhe shumë sportistë nga disiplina të ndryshme e përdorin atë për të shprehur emocionet e tyre pas një suksesi.

“E kuptoj që jo vetëm ai, por në të gjitha sportet, ka njerëz që festojnë si unë. Shpresoj që nesër të jetë ai që do të më shohë mua duke festuar!”, tha Ronaldo me një buzëqeshje, duke lënë të kuptohet se është i motivuar për ndeshjen e ardhshme.