Autoritetet turke kanë arrestuar afro 1.500 persona në protestat më të mëdha kundër Qeverisë në më shumë se një dekadë, tha më 25 mars ministri i Brendshëm i vendit, Ali Yerlikaya.
Protestat shpërthyen më 19 mars pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglut, rivalit kryesor politik të presidentit autoritar, Recep Tayyip Erdoganit, nën akuza për korrupsion – të cilat mbështetësit e tij i konsiderojnë të motivuara politikisht.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, tha në një postim në X – dikur Twitter – më 25 mars se deri më tani janë ndaluar 1.418 persona në “demonstrata të paligjshme”, nga të cilët afro 1.000 janë ende në paraburgim.
Ai, po ashtu, dënoi ata që, sipas tij, kishin “ofenduar” anëtarët e familjes së Erdoganit.
Gaz lotsjellës dhe plumba gome
Përplasjet më të rënda mes protestuesve dhe policisë – e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome – kanë ndodhur pranë Sheshit Saraçane, afër administratës së qytetit. Megjithatë, protestat e vëzhguara në anën aziatike të Stambollit, janë zhvilluar në mënyrë paqësore.
Radio Evropa e Lirë ka folur me disa protestues në Kadikoj, ku të rinj me tatuazhe marshonin krah për krah me të moshuar me shkopinj, ndërsa demonstruesit mbanin në duar portrete të Imamoglut.
Një grua që po marshonte me flamurin turk në dorë, e cila u prezentua si Merve, tha se protesta “nuk ka të bëjë vetëm me arrestimin e Imamoglut”.
“Për shumë vite, ky vend është keqtrajtuar, korrupsioni ka qenë i lartë dhe të drejtat e njeriut janë shkelur. Ne po protestojmë kundër kësaj”, tha Merve, 44 vjeç, për Radion Evropa e Lirë.
Imamoglu, 54 vjeç, u arrestua në shtëpinë e tij mëngjesin e 19 marsit bashkë me dhjetëra të tjerë në kuadër të një hetimi për korrupsion.
Më 23 mars, ai u zgjodh kandidati i partisë opozitare CHP (Partia Popullore Republikane) për zgjedhjet presidenciale të planifikuara në Turqi për vitin 2028.
Protestat kundër arrestimit të tij kanë vazhduar në shumë qytete të Turqisë gjatë gjithë javës, pavarësisht thirrjeve nga autoritetet.
Yerlikaya ka akuzuar disa protestues se po “terrorizojnë” rrugët.
Gjatë protestave në Kadikoj më 23 mars, atmosfera ishte shumë më e qetë sesa përshkrimi i Yerlikayas, me pronarë të bizneseve të vogla që dilnin për të përshëndetur protestuesit që kalonin. Një dyqan suveniresh kishte vendosur fotografinë e Imamoglut përpara dyqanit.
“Dua demokraci”
Murati, një student 20-vjeçar, theksoi se Erdogan, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2003, është i vetmi lider që ai ka njohur.
“Erdogan është në pushtet për më shumë se dy dekada. Nuk e dua më këtë, dua demokraci në vendin tim”, tha Murati.
Erdogan tha më 24 mars se protestat për burgosjen e Imamoglut, i cili u zgjodh kryetar i Stambollit në vitin 2019, janë kthyer në një “lëvizje dhune” dhe se autoritetet do ta mbajnë partinë CHP përgjegjëse për dëmet materiale dhe plagosjet e policëve.
Flamuj të CHP-së ishin të pranishëm kudo në Kadikoj, ku ishte varur edhe një portret i madh prej pëlhure i Imamoglut në sheshin qendror.
Lagjja e modës është e njohur mes banorëve laikë që frekuentojnë baret dhe kafiteritë.
Ndërkohë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdoganit ka mbështetje të fortë nga segmentet më fetare të shoqërisë turke.
Mahmuti, një shofer taksie në Kadikoj, që mbështet Erdoganin, tha për Radion Evropa e Lirë se mendon se opozita nuk është e besueshme.
“Ata janë të korruptuar. Dinë vetëm të mbajnë fjalime të bukura dhe të mashtrojnë njerëzit. Nuk duhet t’i mbrojmë”, tha ai.
Protestat aktuale kundër Qeverisë janë më të mëdhatë që nga viti 2013, kur demonstratat fillimisht kundër planeve për të rindërtuar Parkun Gezi në Stamboll u shndërruan në protesta mbarëkombëtare.
Ato protesta u shtypën ashpër nga autoritetet – organizatat për të drejtat e njeriut thonë se 11 persona u vranë dhe më shumë se 8.000 u plagosën.
Ndërsa mbrëmja afrohej më 23 mars në Kadikoj, tingulli i tenxhereve që përplaseshin nga ballkonet në mbështetje të kryetarit të burgosur të Stambollit jehonte në ajër./REL