Çmimet e naftës u rritën sërish teksa Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa shtesë për blerësit e naftës ruse.

Ai paralajmëroi dhe Iranin nëse nuk bie dakord për një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor. Nafta në bursën e Londrës u rrit me 69 cent duke arritur në 73.45 Dollarë për fuçi, ndërsa nafta në bursën amerikane u rrit me 68 cent duke arritur në 70.04 Dollarë për fuçi.

Administrata amerikane planifikon se do të vendosë tarifa dytësore 25% -50% për blerësit e naftës ruse në rast se Moska pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kina dhe India janë blerësit kryesorë të naftës së papërpunuar ruse dhe sipas ekspertëve çdo paketë sanksionesh dytësore do të dëmtojë seriozisht eksportet nga eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.

“Kërcënimi i Trump për tarifat dytësore ndaj Rusisë dhe naftës iraniane është një faktor i rritjes së naftës në bursa, megjithëse ai ka treguar se nuk po planifikon t’i prezantojë ato për momentin”, shprehen ekspertët.

Nëse miratohen, tarifat do të ishin një hap tjetër drejt një lufte tregtare që do të rëndonte mbi rritjen globale dhe kërkesën për naftë të papërpunuar.