Energjia elektrike në Kosovë do të shtrenjtohet me 15% duke nisur nga muaji prill. Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh brenda një muaji, çmimi i energjisë elektrike është 7.79 centë për kWh, ndërsa pas shtrenjtimit, pritet që një kilovat të kushtojë 8.96 centë.

Ky vendim pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe të shërbimeve, ndaj qytetarët kanë shprehur hapur revoltën kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Grupi i aktivistëve “Asnji Cent Ma Shumë” ka organizuar edhe një veprim simbolik, duke goditur me një tortë kryetarin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu.