Selena Gomez thotë se përballet me komente negative për peshën e saj: Nuk jam modele dhe nuk do të jem kurrë

Selena Gomez pranoi gjatë një paraqitje të fundit në podcast “On Purpose with Jay Shetty” se ndihet keq kur njerëzit komentojnë peshën e saj.
Ajo ka treguar se përballet me shumë kritika lidhur me pamjen.
“Përpiqem të mos i shikoj komentet në internet, por shpesh nuk e mbaj dot veten dhe shikoj se çfarë thonë ata. Askujt nuk i intereson se si duken meshkujt. Sigurisht që pesha ime është një faktor i madh. Të gjithë kanë diçka për të thënë. Nuk do të thoja që më trishton sepse nuk jam viktimë, por mendoj se më hidhëron pak dhe ndihem fajtore që e them”, tha ajo.
Këngëtarja ka deklaruar më parë se medikamentet që merr për sëmundjen e saj kronike autoimune, lupusin, mund të çojnë në probleme me peshën.
“Më mirë të jem e shëndetshme dhe të kujdesem për veten. Medikamentet e mia janë të rëndësishme dhe besoj se më ndihmojnë. Unë nuk jam modele dhe nuk do të jem kurrë. Lexoj komentet dhe kryesisht përpiqem t’i shpërfill të gjitha”, tha Gomez.
Ajo ka vite që merret me gjykime të shumta për pamjen e saj dhe në shumë intervista ka theksuar se komente të tilla mund të jenë të dëmshme dhe ka theksuar rëndësinë e shëndetit mendor dhe imazhit pozitiv të trupit.
Ylli i famshëm u diagnostikua me një sëmundje autoimune që sulmon organet, lupus. Përveç kësaj, ajo iu nënshtrua një transplanti veshkash në vitin 2017, me dhuruese shoqen e saj Francia Raisa.
Medikamentet që ajo merr për lupusin dhe transplantin përfshijnë kortikosteroidet, të cilat çojnë në shumë ndryshime në peshën trupore. Selena theksoi se këto janë ndryshime mbi të cilat ajo nuk ka asnjë ndikim. Komentet se ajo është “e shëndoshë”, “nuk duket si dikur” apo “nuk kujdeset për veten” janë bërë të zakonshme në rrjetet sociale.