Analisti politik Sefer Selimi ka komentuar lëvizjet e fundit në koalicionin VLEN, e që sipas tij janë evidente, ndonëse për kryeministrin e vendit Hristijan Mickoski duhet se nuk kanë shumë rëndësi.
Selimi shkruan se VLEN u ngutën për tu bërë pjesë e Qeverisë pa kushte, duke shkaktuar dëm e çmimin e të cilit do ta mësojmë së shpejti.
Reagimi i plotë:
Ngutja e VLEN-it për t’u bërë partner pa kushte i VMRO-DPMNE-së akoma pa e dhënë verdiktin qytetarët me votë, posaçërisht ata shqiptarë, do të shërbejë si justifikim për veprimet që mund t’i ndërmarrë KM Mickoski ndaj shumicës qeverisëse, tash që turbulencat tek partnerët shqiptarë janë evidente.
Ai tashmë nuk çan kokën kush qëndron e kush largohet nga qeveria, madje edhe nëse e lëshojnë së bashku – ashtu siç hynë.
Mjafton të ketë 3-4 ministra shqiptarë, të cilët do t’i përzgjedhë vetë Mickoski si “përfaqësues të minoritetit shqiptar”, dhe gjithçka do të konsiderohet “në rregull”.
Madje, një ose dy prej tyre mund të vazhdojnë në postet e tyre aktuale, sepse edhe ashtu kanë qenë të përzgjedhurit e drejtpërdrejtë të Mickoskit dhe jo të partive të tyre.
Në fakt, çështja me këtë qeveri nuk ka qenë asnjëherë kush është në qeveri e kush në opozitë – por thelbi i bashkëqeverisjes mes dy komuniteteve më të mëdha:
ruajtja e baraspeshës së përgjegjësive për të tashmen dhe vendosja bashkë për të ardhmen.
Dëmi është bërë, çmimin do ta mësojmë së shpejti.