Një dyshe e njohur tashmë në politikë kanë nisur të shigjetojnë njeri-tjetrin në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Me një mënyrë të re komunikimi të shoqëruar edhe me batuta dhe muzike reperësh, Kryeministri Edi Rama dhe ish-kreut të PD (sot drejtues politik i partisë ‘Koalicioni Euroatlantik’), Lulzim Basha po mundohet të tërheq vëmendje duke i drejtuar disa pyetje njeri-tjetrit në rrjetet sociale.

“Si thotë Unikatili Ramë? Ku i ke shokët? Hë me Ramë? Më kishe kërkuar…”, thotë në një nga videot e tij Basha.

Për Ramën ky moment që e quan “zgjimi i Lulit”, është premierë dhe lë hapësirë për të pritur seri të reja. E ndoshta një mundësi për përsëritjen e marrëveshjes së 17 majit, në kushte të tjera.

Kryeministri nuk vonoi me një kundërpërgjigje, duke zgjedhur një tjetër këngë nga repertori i Unikkatilit si përgjigje për Bashën.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Rama citoi vargjet: “Pse nuk e kupton që ti s’mun m’u shty me mu? Ti ndaç mohoje dost, sa herë ke provu me mu, ke dështu”, duke ironizuar liderin e opozitës.

Ai vijoi duke e cilësuar PS-në si një oqean, ku “një bie, mijëra ngrihen”, ndërsa krahasoi situatën e Bashës me një “lugë uji” ku ai është i zhytur.

Në anën tjetër, Berisha ka komentuar replikat në distancë mes Rama dhe Bashës të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.

Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se Rama e Basha e nxorën hapur dashurinë e tyre, që sipas tij, e kishin mbajtur të fshehur prej kohësh.

Në vijim të fjalës së tij Berisha tha se dashuritë janë me faza dhe sipas tij nuk ka asgjë të re në këtë histori.

Në përfundim, Berisha i uroi Ramën dhe Bashën, duke thënë ‘Zoti ua shtoftë dashurinë mes tyre’.

Kjo lëvizje e Ramës dhe e Bashës vjen në një moment kur Sali Berisha me koalicionin e tij të Shqipërisë Madhështore është pozicionuar si alternativa kryesore kundër qeverisë, ndërsa Basha, me humbjet e njëpasnjëshme brenda PD-së, duket se po kërkon hapësira të reja politike.

Protagonizmi i ri i Ramës dhe Bashës duket se bëhet në kuadër të tërheqjes së elektoratit në prag zgjedhjesh me mënyra të reja.

Kjo përballje me tone muzikore ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku qytetarët po e ndjekin këtë “diss politik” me interes dhe humor. Mbetet për t’u parë nëse Basha do të vijojë replikën me një tjetër këngë, apo nëse kjo do të jetë beteja e fundit në këtë përplasje “artistike”.