Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur ambasadorin e Afrikës së Jugut në Uashington, Ebrahim Rasool, person “non grata”, që do të thotë se atij i është ndaluar kryerja e misionit diplomatik në vend.
Këtë vendim e ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke e akuzuar Rasoolin për nxitje të tensioneve racore dhe për qëndrim armiqësor ndaj SHBA-së dhe presidentit Donald Trump.
“Ambasadori i Afrikës së Jugut në Shtetet e Bashkuara nuk është më i mirëpritur në vendin tonë të madh. Ebrahim Rasool është një politikan që nxit tensione racore, urren Amerikën dhe urren presidentin. Nuk kemi asgjë për të biseduar me të, prandaj ai konsiderohet person non grata”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Ky hap është ndërmarrë pasi Rasool, gjatë një seminari të organizuar nga Instituti Mapungubwe për Reflektim Strategjik (MISTRA) në Johanesburg, e akuzoi presidentin amerikan për udhëheqjen e një lëvizjeje globale të supremacisë së bardhë.
Ai gjithashtu deklaroi se politika e jashtme e Trumpit ndaj Afrikës së Jugut, përfshirë kundërshtimin e reformave për shpronësimin e pronave dhe aleancave të Afrikës së Jugut me Iranin dhe Hamasin, ishte e motivuar nga racizmi.
Rasool më tej argumentoi se slogani “Make America Great Again” është një përgjigje ndaj rritjes së diversitetit demografik në Shtetet e Bashkuara dhe se fermerët e Afrikës së Jugut, të cilët kanë kërkuar mbështetjen e administratës amerikane, janë pjesë e një lëvizjeje globale të supremacisë së bardhë.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, e quajti këtë vendim “të pakëndshëm” dhe shprehu angazhimin për ndërtimin e një “marrëdhënieje reciprokisht të dobishme”,
“Presidenca u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë dhe të prekur që të ruajnë rolin diplomatik”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Ramaphosës.
Shpallja e Rasoolit si person non grata është kapitulli më i fundit në përkeqësimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Afrikës së Jugut. Ka pasur tensione mes dy vendeve edhe gjatë administratës së presidentit Joe Biden.
Megjithatë, që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit, SHBA-ja ka marrë një sërë masash ndëshkuese kundër Afrikës së Jugut. Qeveria e këtij vendi është përballur me kritika jo vetëm nga Trumpi, por edhe nga aleati i tij, miliarderi i teknologjisë Elon Musk, i cili ka lindur dhe është rritur në Afrikën e Jugut.