Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kontaktuar me zyrtarë nga disa vende të Afrikës Lindore për të përdorur territorin e tyre si vend për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, ka raportuar Associated Press (AP), duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

Sipas AP, zyrtarë në Sudan, Somali dhe rajonin e shkëputur të Somalilendit janë kontaktuar për këtë propozim.

Autoritetet sudaneze kanë deklaruar se e kanë refuzuar këtë propozim, ndërsa ato në Somali dhe Somalilend thanë se nuk kanë dijeni për ndonjë kontakt të tillë, shton agjencia.

Në fillim të këtij muaji, liderët arabë miratuan planin egjiptian për rindërtimin e Gazës, i cili kap vlerën e 53 miliardë dollarëve dhe synon të shmangë zhvendosjen e palestinezëve nga enklava, në kundërshtim me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump për një “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Trump ka propozuar që SHBA të marrë kontrollin e Gazës për ta rindërtuar enklavën e shkatërruar, pas një propozimi të mëparshëm për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve.

Plani i Trump ka forcuar frikën e kahershme të palestinezëve se mund të dëbohen përgjithmonë nga shtëpitë e tyre dhe është përballur me refuzim të gjerë ndërkombëtar.