SHBA-ja miraton shitje ushtarake prej 3 miliardë dollarësh për Izraelin në mes të bisedimeve për armëpushim

SHBA-ja miratoi shitjet e mundshme ushtarake të huaja për Izraelin me vlerë 3 miliardë dollarë, sipas Departamentit të Shtetit, transmeton Anadolu.
Departamenti njoftoi Kongresin për shitjet, të cilat përfshijnë municione, komplete udhëzuese dhe buldozerë Caterpillar D9, tha në një deklaratë Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
Pjesa më e madhe e marrëveshjes – me vlerë 2,04 miliardë dollarë – përfshin 35.529 bomba me qëllime të përgjithshme MK 84 ose BLU-117 dhe 4.000 koka luftarake I-2000.
Një paketë tjetër prej 675,7 milionë dollarësh përfshin trupat e bombave MK 83 dhe BLU-110 dhe kompletet udhëzuese JDAM, me dërgesat që vlerësohet të fillojnë në vitin 2028.
Izraeli do të pranojë gjithashtu buldozerë D9R dhe D9T Caterpillar për 295 milionë dollarë, me dërgesa në vitin 2027.
Administrata Trump i justifikoi shitjet si kritike për mbrojtjen e Izraelit dhe si një pengesë ndaj kërcënimit rajonal, duke deklaruar se ato përputhen me interesin kombëtar të SHBA-së për të ndihmuar Izraelin.
Shitjet e fundit vijnë ndërsa faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës do të përfundojë sot në mbrëmje, me negociatat për fazën e ardhshme që po vazhdojnë në Kajro.
Një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve ka qenë në fuqi që nga muaji i kaluar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që ka vrarë më shumë se 48.300 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.