Qeveria e Donald Trump-it beson se Ukraina është e gatshme të mbështesë kërkesat amerikane për një armëpushim me Rusinë, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Voltz, do të takohen nesër në Riad me homologët e tyre ukrainas.

Donald Trump ka shtuar presionin mbi Volodymyr Zelensky-n që ai të pranojë kërkesat e tij për një armëpushim të shpejtë, por pa një premtim të menjëhershëm për garanci sigurie. Dhjetë ditë më parë, ata patën një përplasje të ashpër në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump e akuzoi Zelensky-n se nuk është i gatshëm për t’i dhënë fund luftës.

“Fakti që ukrainasit po vijnë në Riad me zyrtarët më të lartë është një tregues i mirë për ne se ata duan të ulen dhe janë të gatshëm të fillojnë bisedimet,” deklaroi një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Megjithëse Zelensky do të jetë i pranishëm në Riad, nuk pritet që ai të ketë një rol formal në bisedimet me SHBA-në. Ekipi ukrainas do të përbëhet nga shefi i kabinetit të tij, Andriy Yermak, këshilltari për sigurinë kombëtare dhe ministrat e mbrojtjes dhe punëve të jashtme.

“Shpresojmë për rezultate, si për afrimin me paqen, ashtu edhe për vazhdimin e mbështetjes,” deklaroi Zelensky.

I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha se në Riad do të diskutohet për një kornizë paqeje, në përpjekje për të përfunduar luftën. Në agjendë mund të jetë edhe marrëveshja për mineralet, e cila nuk u nënshkrua gjatë vizitës së Zelensky-t në SHBA.