Shoqata e Inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë ka dorëzuar një ankesë në Komisionin Rregullator për Energjetikë, duke kërkuar ndryshime urgjente në Rregullat për furnizimin me energji elektrike. Ata paralajmërojnë se mënyra aktuale e faturimit çon në pagesa të padrejta për familjet dhe fitime të pajustifikuara për EVN Maqedoni.

“Kërkojmë ndryshimin e rregullave dhe vendosjen e leximit mujor të matësve, në vend të sistemit aktual tremujor, i cili shkakton shpërndarje të papërshtatshme të konsumit dhe fatura më të larta për qytetarët,” thuhet në ankesë. Për më tepër, ata propozojnë që, në rast se matësi nuk lexohet, EVN të lëshojë një faturë me një shumë simbolike prej 420 denarësh dhe të shënojë zero kilovat-orë të konsumuar, ndërsa pas leximit real, llogaritja të korrigjohet sipas konsumit të vërtetë.

Sipas inxhinierëve, me futjen e tarifave bllok në vitin 2022, Komisioni Rregullator për Energjetikë ndryshoi mënyrën e llogaritjes, duke parashikuar lexim tremujor në vend të atij vjetor. “Ky ndryshim çoi në faturim të padrejtë, pasi përcaktimi i konsumit në mënyrë fikse mund t’i fusë konsumatorët në blloqe çmimesh më të larta, duke i rritur padrejtësisht faturat e tyre,” thonë nga Shoqata.

Sipas llogaritjeve të tyre, përfshirja e padrejtë në blloqe më të larta çmimesh mund të shkaktojë dallime të mëdha në faturim. “Qytetarët në bllokun e parë mund të paguajnë deri në 170 denarë më shumë, në bllokun e dytë kjo rritje arrin në 830 denarë, ndërsa në bllokun e tretë mund të shkojë deri në 8.080 denarë,” paralajmërojnë inxhinierët.

Gjithashtu, në ankesë thuhet se në Maqedoni ka 915.492 matës të energjisë elektrike, ndërsa regjistrimi tregon 598.632 familje. “Nëse 80% e familjeve janë në bllokun e dytë të çmimeve, dhe nëse vetëm për 15% të matësve konsumi përcaktohet në mënyrë fikse, fitimi vjetor i pajustifikuar i EVN-së mund të arrijë deri në dy milionë euro,” vë në dukje Shoqata.

“Komisioni Rregullator ka detyrimin të mbrojë të drejtën e konsumatorëve për një faturim të drejtë bazuar në konsumin real. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë,” janë të vendosur përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve, duke pritur një reagim institucional. Mbetet për t’u parë nëse Komisioni Rregullator do të përgjigjet ndaj këtij kërkimi dhe nëse do të ketë ndryshime në rregullat për furnizimin me energji elektrike.