Shtyhet sistemi ETIAS, do të vazhdohet të udhëtohet në Zonën Shengen pa pasur nevojë për leje udhëtimi për dy vjet të tjerë

Bashkimi Evropian ka shtyrë sërish implementimin e sistemit Evropian të Informacioneve dhe Autorizimeve të Udhëtimit (ETIAS), i cili tani pritet të bëhet operacional në katër muajt e fundit të vitit 2026. Ky sistem do të kërkojë që qytetarët e vendeve që janë të liruar nga vizat, siç është Maqedonia e Veriut, të marrin autorizim përpara se të udhëtojnë në shtetet e zonës Shengen.
Përveç kësaj, Sistemi i Hyrje-Daljes (EES), i cili do të mbledhë të dhëna biometrike gjatë hyrjes dhe daljes nga zona Shengen, pritet të fillojë në tetor të vitit 2025. Ky sistem ka si qëllim modernizimin e kontrollit të kufirit dhe parandalimin e mashtrimeve të identitetit.
Kur ETIAS të bëhet i detyrueshëm, udhëtarët do të duhet të aplikojnë online, të paguajnë një tarifë prej 7 euro dhe të marrin një autorizim që do të jetë i vlefshëm për tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës. Rekomandohet që udhëtarët të aplikojnë me kohë përpara udhëtimit, pasi përpunimi mund të marrë nga disa minuta deri në 30 ditë.
Këto shtyrje do të thonë që udhëtarët nga Maqedonia e Veriut mund të vazhdojnë të udhëtojnë në zonën Shengen pa ETIAS deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, rekomandohet që të ndiqen rregullisht informacionet zyrtare për të mbetur të informuar për mundësitë e ndryshimeve në rregullore.