Prokurori i rastit ndaj të dyshuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, ndau disa detaje me Radion Evropa e Lirë.

Duke qenë i kujdesshëm lidhur me informacionet që ndau, prokurori Bekim Kodraliu tregoi se si erdhi deri tek identifikimi i saj dhe dyshimet për përfshirje në veprën penale të spiunazhit.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka miratuar para tri ditpara tri ditësh kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), duke i caktuar një muaj paraburgim të dyshuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq.

Lajmin e ka bërë të ditur gjykata përmes llogarisë zyrtare në Facebook.

Sipas vendimit, masa e paraburgimit është shqiptuar nga gjykatësi i procedurës paraprake pas seancës dëgjimore.

Prokuroria Speciale njoftoi se të premten, më 28 shkurt 2025, pas disa muajsh hetime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka arrestuar të dyshuarën në rajonin e Mitrovicës.

Jelena Gjukanoviq fillimisht ishte ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të PSRK-së, ndërsa njësitet relevante të Policisë kanë kryer bastisje në banesën e saj për sigurimin e provave shtesë.

Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për vazhdimin e procesit penal.

Jelena Gjukanoviq dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.