Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, bashkë me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, kanë vizituar një pikë kufitare mes Kosovës e Serbisë.

Sorensen tha se është “mbresëlënëse të shohësh dhe të informohesh për Pikat e Përbashkëta të Kalimit”, duke shtuar se ato duhet të rifillojnë punën pa vonesa.

“Derisa është bërë shumë, ne duhet të rifillojmë punën e mbetur pa vonesë. Ka të bëjë me lejimin e njerëzve dhe mallrave që të lëvizin lirshëm – një gurthemel i integrimit europian”, ka shkruar ai në X.

Ai ka falënderuar edhe KFOR-in për mbështetjen logjistike.

Sorensen po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë që kur mori postin e emisarit më 1 shkurt.

Ai dje është takuar me krerët e vendit, udhëheqësit e opozitës, si dhe ka shkuar në KFOR për vizitë.

Sorensen do të qëndrojë në Kosovë edhe sot e nesër, ndërsa BE pati paralajmëruar një vizitë edhe në Serbi pas kësaj në Kosovë.