I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri humanitare.
“Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi. Prandaj, çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet për mua në dialog”, ka shkruar Sorensen në “X” pas një vizite që ka bërë të mërkurën në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, përpara se të përfundojë vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, ka vizituar pikën kufitare të Merdares.
Nga atje, ai tha se të gjitha pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të modernizohen.
“Para se të largohesha nga Kosova, u ndala në Merdare – një pikë kalimi moderne e ndërtuar nga BE. Është koha për të rritur bashkëpunimin për të modernizuar edhe të gjitha pikat e tjera të kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Sorensen.
Sorensen qëndroi në Kosovë nga e hëna, ku pati takimet me krerët shtetërorë.
Pas këtyre takimeve Sorensen, ka thënë se qëllimi tij është që të shtyjë përpara procesin e dialogut. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për kompromise të mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por tha se “kjo u takon palëve ta përcaktojnë”.
Sorensen erdhi për herë të parë në Kosovë në një vizitë zyrtare që prej kur ka marrë postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun. Ai do ta vizitojë edhe Beogradin, pas së cilës tha se do të ulet dhe të vlerësojë se “ku jemi”./Reporteri.net/