Sali Berisha ka vendosur aleatin e tij Ilir Meta në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Kreu i PL-së që pritet të bëhet deputet nga burgu ka bërë një reagim nga qelia përmes një postimi në Facebook.

“Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokrarike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!”, shkruan Meta.