Numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza është rritur në 404, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në enklavë.
Sipas mediave të huaja, 562 të tjerë janë plagosur, thuhet në deklaratën e saj.
Ajo ka shtuar se: “Një numër viktimash janë ende nën rrënoja dhe po bëhen përpjekje për t’i nxjerrë nga aty”.
Numri i të vdekurve është rritur me gati 100 persona që kur një përditësim nga ministria më parë tha se të paktën 326 ishin vrarë, me gra dhe fëmijë në mesin e të vdekurve.
Para kësaj, ajo tha se përpjekjet për të “rikuperuar” viktimat ishin penguar për shkak të “paralizës së plotë” të sektorit të transportit në Gaza, shkaktuar nga mungesa e karburantit.
Ndryshe, Izraeli nisi sulme të gjera ajrore në Gaza herët të martën, raportuan mjekët palestinezë.
Të martën herët në mëngjes, zyra e kryeministrit izraelit tha se e udhëzoi ushtrinë të synonte Hamasin në të gjithë Rripin e Gazës.
Sulmet u raportuan të kenë goditur objektiva në Gazën veriore, qytetin e Gazës, Deir al-Balah, Khan Younis dhe Rafah.
Hamasi paralajmëroi se sulmet shkelën armëpushimin dhe vënë në rrezik fatin e pengjeve.