Një sulm i armatosur ka ndodhur të martën në një qendër shitjeje të automjeteve “Tesla” në Las Vegas, duke lënë disa automjete të dëmtuara, ndër të cilat të paktën dy kanë shpërthyer në flakë. Autoritetet besojnë se autori i veshur me të zeza, përdori koktej molotov dhe armë zjarri për të realizuar sulmin rreth orës 2:45 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Ndihmëssherifi Dori Koren nga Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit (LVMPD) tha në një konferencë për shtyp se të paktën pesë automjete “Tesla” u dëmtuan gjatë “të paktën tri raundeve” të të shtënave.

Ai gjithashtu shtoi se fjala “rezisto” ishte shkruar me spërkatës në dyert e përparme të objektit të biznesit. Gjatë hetimit, një koktej molotovi i pandezur u gjet në një nga automjetet e dëmtuara.

Koren e përshkroi këtë incident si një “sulm të shënjestruar”, por shtoi se autoritetet besojnë se ishte një rast i izoluar dhe nuk ka ndonjë kërcënim të mëtejshëm për publikun e gjerë.

Ai theksoi se si masë paraprake, është rritur prania e policisë në lokacionet e ndryshme të Teslas.

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, e ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë “të çmendur dhe thellësisht të gabuar”.

Musk shtoi se Tesla, si prodhues i automjeteve elektrike, “nuk ka bërë asgjë për t’i merituar këto sulme të liga”.

Ky sulm është pjesë e një vale sulmesh që kanë synuar objektet e Teslas, të cilat janë nxitur nga reagimet kundër aktiviteteve politike të Musk, përfshirë rolin e tij në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) nën administratën e ish-presidentit Trump.

Në reagim, presidenti Donald Trump ka premtuar të etiketojë dhunën e tillë si terrorizëm të brendshëm dhe ka kërcënuar autorët me pasoja të rënda.

Për më tepër, javën e kaluar, prokurorja e përgjithshme Pam Bondi lëshoi një paralajmërim për vandalët që mund të synojnë “Tesla”-n, duke thënë: “Nëse do të prekni ndonjë “Tesla”, shkoni në një pikë shitjeje, bëni ndonjë gjë, më mirë kini kujdes sepse ne po ju ndjekim”.