Në drejtim të integrimit të përshpejtuar rajonal të tregjeve energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregjet tashmë të organizuara të Evropës Qendrore dhe Juglindore, ShA MEPSO sot ishte nikoqire e takimit në të cilin morën pjesë përfaqësues të SELeNe CC nga Greqia dhe përfaqësues të operatorëve të sistemeve transmetuese nga Kosova dhe Shqipëria, KOSTT dhe OST-ja.

Siç u theksua gjatë takimit, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i tregut të brendshëm të energjisë elektrike nuk mund të zhvillohen pa një Qendër koordinuese rajonale. Përfaqësuesit e operatorëve të sistemeve vunë në dukje se secili prej tyre tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të integrimit të rregulloreve nacionale për tregun e energjisë elektrike me rregulloret e BE-së. Përqëndrimi kryesor ishte mbi rëndësinë e përforcimit të sigurisë energjetike në rajon dhe nevojën për bashkëpunim intensiv rajonal, ku u shqyrtuan hapat që po ndërmerr secila palë për harmonizimin e planeve dhe sigurimin e një tranzicioni të pandërprerë në fazën e ardhshme të bashkëpunimit.

Aderimi i ShA MEPSO, KOSTT dhe OST në RCC përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt koordinimit efikas të TSO-ve evropiane në nivel rajonal, i cili është i domosdoshëm për përballimin e suksesshëm të sfidave të “tranzicionit të gjelbër”, por edhe një hap në procesin e bashkimit të tregjeve – market coupling, me çka do të optimizohet tregtimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja e kapaciteteve ndërkufitare mes vendeve.

Në këtë mënyrë, TSO-të do të rrisin efikasitetin, do të ulin rreziqet nga ngjarjet që ndikojnë në zona të gjera gjeografike (siç janë ndërprerjet në furnizim), do të ulin kostot dhe do të rrisin konkurrencën në treg, duke mundësuar kapacitet më të madh transmetues të disponueshëm për pjesëmarrësit në treg.

Takimi i sotëm vjen pas nënshkrimit të Deklaratës për koordinim rajonal nga operatorët e sistemeve elektrotransmetuese të Ballkanit Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel, e cila deklaratë hapi mundësinë për organizim teknik dhe tregtar në fushat e operacioneve të koordinuara të sistemit elektroenergjetik, si dhe tregtimin dhe ankandin e energjisë elektrike.

SELeNe CC është Qendër koordinuese rajonale (RCC) për operatorët e sistemeve elektrotransmetuese (TSO) në Evropën Juglindore, e cila vepron në përputhje me Rregulloret e Komisionit Evropian 1222/2015 (CACM) dhe 2017/1485 (SOGL), Paketën e tretë energjetike dhe Paketën për energji të pastër.