Taravari: Ditët e zisë mbarojnë, por dhimbja mbetet e thellë, të përkushtuar për çdo jetë që vazhdon të luftojë

Edhe pse ditët zyrtare të zisë shtetërore përfundojnë sot, dhimbja mbetet e thellë dhe personale. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me tragjedinë e fundit, duke theksuar se kjo ngjarje ka vënë në provë të gjithë shoqërinë, institucionet dhe sistemin shëndetësor.
Ai ka informuar se gjendja e pacientëve që po trajtohen në spitalet e Maqedonisë së Veriut është stabile, falë reagimit të shpejtë dhe përkushtimit të profesionistëve shëndetësorë. “Mbetemi në koordinim të vazhdueshëm me klinikat në shtetet fqinje dhe mike, ku po trajtohen disa nga të lënduarit më rëndë. Shpresojmë që çdo ditë të mund të njoftojmë për kthimin e tyre në shtëpi”, ka shkruar Taravari.
Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë periudhë të vështirë, përfshirë qytetarët, institucionet dhe punonjësit e shëndetësisë, duke theksuar se çdo ndihmë është e vlefshme. “Ne do të vazhdojmë të jemi aty ku duhet më shumë, pranë pacientëve, me gjithë dijen, vëmendjen dhe përgjegjësinë që meritojnë”, ka përfunduar ministri Taravari.