Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gjatë intervistës për TV Kanal 5, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve të prekur nga tragjedia në Koçan. Ai theksoi se, edhe pas më shumë se një jave nga ngjarja, asnjë i lënduar nuk ka humbur jetën si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

“Sipas të dhënave zyrtare, në total kemi pasur 190 pacientë të prekur nga tragjedia. Një pjesë e tyre tashmë janë liruar për mjekim shtëpiak, ndërsa 15 pacientë vijojnë trajtimin në spitalet tona. Po ashtu, 99 të tjerë janë transferuar për trajtim në shtete mike. Po punojmë intensivisht për rikuperimin e tyre dhe shpresojmë që numri i të hospitalizuarve të bjerë në ditët në vijim. Më e rëndësishmja është që deri më tani nuk kemi asnjë humbje jete,” deklaroi Taravari.

Ministri foli gjithashtu për bashkëpunimin me vendet e huaja dhe angazhimin e ekipeve mjekësore në këtë proces. Ai shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor që kontribuuan në përballimin e situatës.

“Të gjithë pacientët e lënduar nga Koçani dhe Shtipi u transferuan fillimisht në Shkup, ku më pas nisëm komunikimin me vendet e huaja për mundësinë e trajtimit të tyre. Solidariteti dhe gatishmëria për të ndihmuar ishin të jashtëzakonshme, dhe menjëherë ndërmorëm hapat e nevojshëm për transferimin e pacientëve në spitalet jashtë vendit,” u shpreh Taravari.