Ministri i Shëndetësisë dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari në një intervistë për “Emisionin 360 shkallë”, doli me një kritikë publike për funksionimin e partive të shqiptarëve në Qeveri. Sipas tij, koalicioni funksionon “ngadalë” dhe duhet të gjejë një model për një sinergji më të mirë.

“Unë mendoj se kemi shumë mangësi. Kjo nuk është aq për faj të kryeministrit Mickoski, sa për faj të nesh. Ekziston një mosmarrëveshje që duket nga 100 kilometra larg, se funksionojmë shumë ngadalë. E gjithë kjo është përshtypja e popullit, që është më e keqja për ne, se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Posa i bëra tre anketa, te shqiptarët përgjithësisht të anketuar. Përshtypja e rreth 70% të popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon si duhet, dhe se përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri nuk është i kënaqshëm“, thotë Taravari.

Në intervistën, Taravari shpjegoi se kur flet për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri, ai nuk i referohet sasisë, por cilësisë.

“Nëse e merrni në sasi, do të thotë numri i ministrave, numri i drejtorëve, përfaqësimi i VLEN në Qeveri është në rregull. Megjithatë, nëse e merrni cilësisht, nuk është ashtu siç duhet, nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo është përshtypja e përgjithshme e shumicës, po flas për shqiptarët“, shtoi Taravari.

Këto qëndrime të Arbën Taravarit vijnë në një periudhë kur po përfliten gjithnjë e më shumë spekulime se ai është me një këmbë jashtë VLEN, dhe po afron gjithnjë e më shumë me BDI-në.