Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Taravari, në deklaratën e sotme për mediat theksoi se nuk ka asnjë viktimë nga të lënduarit në zjarrin në Koçan. Nga gjithsej 178 pacientë të lënduar, 64 po trajtohen në institucionet shëndetësore publike të vendit, 13 pacientë në spitale private dhe 101 pacientë po trajtohen në qendra mjekësore jashtë vendit.

-Pacientët janë në gjendje relativisht stabile. Unë personalisht, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, i vizitova dje të plagosurit e hospitalizuar në spitalet e Selanikut dhe Sofjes. Bisedova edhe me prindërit e tyre, të cilët janë të kënaqur me trajtimin që po marrin. Nga pacientët e hospitalizuar në Sofje, dy tashmë janë ekstubuar dhe sot pritet të ekstubohen edhe dy të tjerë,” deklaroi ministri Taravari.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se sot është organizuar transporti i fundit i pacientëve të lënduar jashtë vendit.

-Dua të informoj se nga sot klinikat kirurgjikale do të rifillojnë punën, jo me kapacitet të plotë, por vetëm me pacientët onkologjikë, ndërsa nga nesër pritet që të gjitha klinikat të funksionojnë me programet e planifikuara,” tha ministri.

Aktualisht, në Qendrën Klinike po trajtohen 35 pacientë, prej të cilëve:

Në KARIL – 6 pacientë (njëri prej tyre për transport)

Në Kirurgjinë Pediatrike – 4 pacientë

Në Kirurgjinë Plastike – 6 pacientë

Në Traumatologji – 2 pacientë

Në Kirurgjinë Torakale dhe Vaskulare – 4 pacientë

Në Toksikologji – 10 pacientë

Në Pulmologji – 2 pacientë

Në Oftalmologji – 1 pacient

Në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” janë 15 pacientë (nga të cilët dy do të transportohen sot për në Suedi), në Spitalin e Vjetër të Qytetit janë 11 pacientë, ndërsa në Spitalin Klinik të Shtipit po trajtohen 3 pacientë, nga të cilët dy do të lëshohen sot për mjekim në shtëpi.