Të 14 të akuzuarit për tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe pas disa orësh ndërroi jetë edhe shoferi i Ndihmës së Shpejtë, kanë mbërritur në Koçan.
Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski, në një deklaratë nga Koçani tha se aktualisht po mbahen seanca lidhur me propozimet për paraburgim.
– Deri më tani, po punohet për procesimin urgjent të 14 personave të siguruar përmes veprimeve tona. Sa i përket inspektimit në vendngjarje, mund të konfirmoj se të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme janë siguruar dhe do të pasojnë analiza dhe ekspertiza shtesë nga fusha përkatëse, tha ai, duke shtuar se brenda kësaj jave mund të hapet një procedurë hetimore.
Kocevski nuk konfirmoi nëse masat përfshijnë edhe ish-ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kryetarin e Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, si dhe inspektorë të komunës.
– Të gjitha personat që ekipi i prokurorëve publikë do të konstatojë se kanë kryer ose nuk kanë kryer veprime që mund të kenë implikime penale do të përfshihen në hetim, tha ai.