Për të tretën natë me radhë një pjesë e madhe e Stambollit u shndërrua në një arenë lufte, ku mijëra protestues dolën sërish në rrugë kundër arrestimit të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu.
Të gjitha rrugët që të çojnë në ndërtesën e bashkisë së Stambollit u mbyllën me urdhër të guvernatorit, por mijëra njerëz u mblodhën pavarësisht ndalimit. Të paktën 16 oficerë policie u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit në të gjithë Turqinë dhe të paktën 53 persona janë arrestuar.
Protestuesit u përplasën me policinë të cilët hodhën gurë ndaj tyre. Për të shpërndarë turmën që donin të niseshin drejt sheshit qendror Taksim i cili është rrethuar plotësisht dhe ruhet nga policia prej ditësh, forcat e sigurisë përdorën sprej me piper si dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave.
Përleshje ndodhen edhe në Izmir edhe Ankara ku policia shpërndau protestuesit me makinat ujëhedhëse.
Opozita bëri të ditur se në protestë morën pjesë më shumë se 300 mijë njerëz, ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin në rrugë për të protestuar kundër ndalimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, pavarësisht paralajmërimit të Presidentit Erdogan kundër demonstratave.
Protestat po organizohen nga studentët, të cilët përpos të tjerash, po kërkojnë edhe dorëheqjen e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ata paralajmërojnë tubime edhe më të mëdha gjatë ditëve në vijim.
Tensionet mund të rriten në fundjavë kur një gjykatë pritet të vendosë për arrestimin zyrtar të kryebashkiakut. Kryebashkiaku 54-vjeçar i Stambollit Ekrem Imamoglu përballet me akuza, duke përfshirë korrupsionin dhe ndihmën ndaj një grupi terrorist. Imamoglu ka mohuar akuzat për korrupsion duke i konsideruar ato si të motivuara politikisht.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe 100 zyrtarë të tjerë nga kjo parti. Parti Republikane Popullore i ka cilësuar arrestimet një “grusht shteti” dhe kanë bërë thirrje që demonstratat të intesifikohen. Demonstratat deri më tani janë përhapur në të paktën 32 nga 81 provincat e Turqisë.
Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për vitin 2028, por disa analistë thonë se Erdogan mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, të cilat do t’i lejojnë atij të anashkalojë kufijtë e mandatit.