Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot theksoi se ka mungesë të policëve që punojnë në terren, ndërsa në ndërkohë ka mbipunësim në pozitat e tjera në MPB. Për këtë, siç sqaroi, po punohet për Ligjin e ri për Punë të Brendshme dhe Ligjin e ri për Policinë. Në të ardhmen, përmendi se do të punohet edhe për një sistematizim të ri, i cili do të mundësojë shpenzim maksimal, racional dhe efikas të parave të qytetarëve, por edhe që punonjësit e policisë të jenë të dukshëm në terren.

“Jo vetëm në SPB Tetovë, por pothuajse në të gjithë territorin e të gjithë shtetit, në ato pozita në kuadër të Ministrisë ku ka shumë punë, ku nëpunësi policor duhet të jetë në terren, në mënyrë që qytetarët e Maqedonisë të jetojnë të sigurt, gjithmonë na mungojnë të punësuar. Në pjesën tjetër më komode, ku nuk ekspozohen ndaj shiut dhe erës, ku nuk ekspozohen në rrugë për të rrezikuar jetën e tyre, ka tepricë të punëtorëve”, tha sot Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së tij në Tetovë.

Ai, tha se do të ndërmerren plane operative dhe do të aktivizohen të gjithë punonjësit e MPB-së. Siç tha, tashmë kanë filluar në Shkup, dhe qyteti i dytë ku do ta implementojmë planin operativ me shpërndarje të brendshme në kuadër të mobilitetit ekzistues, do të jetë Tetova.

Ai shtoi se po bëhet një analizë e thellë dhe po punohet për ndryshime thelbësore në rregulloret ligjore.

Paralajmëroi se paga e marsit që punonjësit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të marrin në muajin prill do të rritet prej rreth 10 për qind.

“Kjo tashmë është biseduar me të gjithë faktorët në kuadër të Qeverisë, është biseduar edhe me kryeministrin dhe me ministren e Financave. Nëse më pyesni mua, duhet të ishte rritur shumë më tepër, por në periudhën e ardhshme do të kemi rritje të vazhdueshme të pagave të nëpunësve të policisë, veçanërisht atyre që vënë në rrezik jetën e tyre. Në të ardhmen do të kemi shumë hapa që do të kenë për qëllim përmirësimin e kushteve të punës së policëve”, tha Toshkovski.