Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe ministri i Sportit, Borko Ristovski sot bënë një vizitë pune në Qendrën e Trajnimit të MPB-së, ku është duke u bërë një rikonstruksion gjithëpërfshirës i objekteve ekzistuese.

Kjo qendër, siç bëri të ditur MPB, është një hallkë kyçe në sistemin e sigurisë, ku nëpunësit policorë të ardhshëm trajnohen dhe përgatiten dhe pikërisht për këtë, investimi në infrastrukturën e saj është një investim në stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

“Me ministrin diskutuam për mundësitë e mbështetjes ndërinstitucionale, veçanërisht në fushën e infrastrukturës sportive, d.m.th., terrenet sportive, poligonet dhe pishinën. Situata me pishinën, e cila edhe pse e rinovuar më parë, nuk është vënë fare në funksion dhe është lënë të rrënohet. Bashkë konstatuam se me investime relativisht të vogla ky kapacitet serioz mund të vihet sërish në funksion dhe të bëhet pjesë e trajnimit sistematik të personelit policor”, theksoi ministri Toshkovski gjatë vizitës.
Ministri Toshkovski theksoi se qëllimi është ndërtimi i një qendre trajnimi moderne, plotësisht të pajisur dhe funksionale, e cila në të ardhmen do të ketë edhe rëndësi rajonale dhe se përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me vizion dhe vendosmëri të qartë, mund të ndërtojmë kushte që do t’u përgjigjen nevojave moderne.