Kryeministri Mickoski ka konfirmuar se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë. Ka thënë se pas tragjedisë është ngrirë procedura për shkarkimin e krye-prokurorit, sipas shefit të Qeverisë, kjo periudhë është moment i mirë që prokuroria të dëshmojë se është e angazhuar për të sjellë drejtësi.

“Planifikojmë që këtë procedurë ta lëmë aty ku është për momentin, sepse vlerësojmë se prokurorët të cilët veçanërisht punojnë me rastin e tragjedisë duhet të punojnë dhe duhet tu japim mundësinë që të punojnë. Kur unë thash se jemi të kënaqur me punën e tyre, e pash që ekziston një aksion i përbashkët mes MPB-së dhe Prokurorisë Publike, aksion që rezultoi me kapjen e 34 personave që dyshohen se kanë edhe pjesën më të vogël të fajit për këtë rast. Por, e përsëris, nuk do të ndalemi këtu. Hetimet vazhdojnë dhe rasti do të rritet. Mirëpo, qytetarët janë të prekur dhe emotiv edhe për disa raste të tjera, që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ne do të presim nëse Prokuroria do të veprojë dhe të sjellë drejtësi”, tha Mickoski.

Veç kësaj, kryeministri ju përgjigj LSDM-së për dyshimet që këto të fundit hodhën për hetime selektive.

“Mund të jap deklarata dhe vlerësime të pabazuara gjithmonë, por për këto çështje duhet të dorëzohen edhe dëshmi. Prandaj e inkurajojë Prokurorinë Publike të punojë, siç thonë nga LSDM-ja në mënyrë jo-selektive dhe për të gjithë ata që ekziston dyshimi, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën që ka pasur çfarëdo roli dhe ka pasur post publik dhe në mënyrë ose një tjetër ka qenë i përfshirë në rast, të sanksionohet”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri përgjigje kishte edhe për BDI-në, të cilët pushtetin e akuzojnë për përndjekje politike ndaj ish-ministrit Bekteshi.

“Në vend se të shprehin ngushëllime dhe të përfshihen edhe ata në hetim për të na ndihmuar ata u munduan që këtë rast ta politizojnë dhe t’i japin ngjyrë etnike që të fitojnë ndonjë pikë politike, në kurriz të jetëve të humbura të qytetarëve të pafajshëm. Mund të them vetëm që u qoftë për nderë, ne si qeveri do të vazhdojmë të kujdesemi dhe të luftojmë kundër sjelljeve të tilla devijante”, u shpreh Mickoski.

Partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë qasje jo-selektive gjatë hetimit dhe pyesin pse asnjë nga funksionarët aktualë nuk është nën hetime për rastin e Koçanit dhe pse përgjegjësia kërkohet vetëm tek ish-funksionarët.