Maqedonia e Veriut po përjeton ditën e 6-të të zisë për shkak të tragjedisë në Koçanë.

Policia ka privuar dy persona përgjegjës të objekteve hotelerike për shkak se kishin lëshuar muzikë dhe nuk e kishin respektuar vendimin e Qeverisë për 7 ditë zie.

Bëhet fjalë qytetarë të moshës 26 dhe 22 vjec nga Shkupi dhe rrethina e Shkupit dhe sipas policisë kundër tyre do të inicohen procedura adekuate konform ligjit.

Derisa nëpër shumë qytete të vendit qytetarët vazhdojnë të përkujtojnë viktimat edhe në Selanik, qytetarë të RMV-së që jetojnë dhe studiojnë në këtë qytet, në mesditë organizuan tubimin “Selaniku në heshtje për Koçanën” me 60 minuta heshtje, nga një minutë për 59 viktimat dhe 1 për vozitësin e urgjencës I cili ndërroi jetë pasi kishte transportuar të lënduar nga tragjedia.

Ndërkohë, Kryeministri Mickoski, sot ka vizituar bashkëshorten dhe familjen e Ile Gocevskit, vozitësit tashmë të ndjerë të urgjencës.

Përmes një statusi në Facebook, Kryeministri potencoi se në kohën e pikëllimit kombëtar, guximi dhe humaniteti i njerëzve sikurse Ile Kocevski shërbejnë si inspirim se heronjtë e vërtetë kanë zemër përplot me dashuri dhe sakrificë.

Ndërkohë, krahas kanaleve zyrtare për donacione përmes Kryqit të Kuq, të rinj nga Koçana kanë krijuar një ueb-faqe për ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për familjarët e viktimave të zjarrit në Koçanë.

Në ueb-faqen supportkocani.com janë publikuar 78 persona të nënshkruar me emër dhe mbiemër dhe secili donator mund të zgjedh se cilit dhe sa mjete mund të transferojë përmes llogarisë së tij bankare.