I regjistruar si kafe-bar, por funksiononte si lokal nate me të mitur. Këtë e ka zbuluar inspektorati i tregut të Ohrit gjatë inspektimit të fundit në gjithsej gjashtë objekte në Ohër, duke përfshirë një disko klub, tre kabare dhe dy klube nate. Tre prej tyre morën ndalesë për punë deri në plotësimin e kushteve minimale teknike, thanë për Alsat. Kjo do të thotë se Ohri do të mbetet pa disa klube nate dhe kabare, të cilat vitet e fundit ishin tërheqëse, sidomos tek të rinjtë.
“Në Ohër janë kontrolluar pa përjashtim të gjitha objektet që kanë qenë klube nate, kabare, diskoteka, sepse të gjithë në Ohër, ndryshe nga qytetet e tjera, kanë paguar për licencë. Si e kanë marrë, nëse duhet ti kishin marrë, nëse i kanë plotësuar kushtet, duhet të pyesim për kushtet minimale teknike që i dorëzohen inspektimit të tregut, i cili i miraton. “Ohri realisht do të mbetet me dy objekte, ose ndoshta tre, nuk mund të vlerësoj saktë, sepse nuk jam unë ai që do të masë përmasat që plotësojnë licencat”, deklaroi Kiril Pecakov-Kryetar i Komunës së Ohrit.
Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve të Maqedonisë, Kërste Blazheski, thotë se pas ngjarjes tragjike në Koçan është shtuar kujdesi tek të gjithë hotelierët. Ai pohon se të gjitha hotelet kanë aparate zjarri.
“Ata që kanë pajisje të tilla të mbrojtjes nga zjarri, duhet t’i kontrollojnë, por edhe ata që nuk i kanë, të bëjnë një pikëpyetje të madhe, që t’i blejnë e t’i kenë. Ka një mungesë për momentin të aparateve të zjarrit, që do të thotë se ka pasur shumë objekte që ose kanë qenë të vjetruara ose nuk i kanë pasur fare. Duhet të kontrollohen të gjitha objektet, sidomos ato pa leje, sepse nuk i kontrollon askush si të tillë, ndërsa ekzistojnë dhe punojnë”, tha Kërste Blazheski-Kryetar i HOTAM-it.
Nga Inspektorati i Tregut në Ohër thonë se në ditët në vijim do të fillojnë kontrollin e objekteve gastronomike. Nga Inspektorati i Tregut në Strugë thonë se në zonën e Strugës nuk janë regjistruar lokale nate apo kabare, ndërsa nga e hëna do të fillojnë kontrollin e të gjitha objekteve të regjistruara hoteliere dhe ambienteve të tjera të dasmave.