Administrata Trump paraqiti të premten detajet e planit për ta kaluar Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar nën kontrollin e Departamentit të Shtetit dhe për të reduktuar stafin e saj në vetëm 15 poste.
Punonjësit e agjencisë u informuan për shkarkimin e afërt përmes një email-i, të titulluar “Misioni i fundit i USAID”.
Lëvizja erdhi pas protestave të ligjvënësve amerikanë, që argumentonin se përpjekjet për të tkurrur përmasat e agjencisë ishin ilegale dhe pasi disa anëtarë të stafit të saj ngritën një padi për t’i ndalur ato.
USAID kishte të punësuar rreth 10 mijë punonjës përpara se administrata Trump të niste procesin e rishikimit dhe anulimit të kontratave të ndihmës, vetëm pak ditë pasi miliarderi i pasurive të patundshme u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
“Brenda datës 2 shtator, operacionet e agjencisë do t’i kenë kaluar tërësisht Departamentit të Shtetit, ose do të jenë reduktuar”, thoshte email-i.
Përmes shkurtimeve, administrata amerikane synon që t’i përdorë fondet për ndihma si mjet për të përforcuar më tej prioritetet diplomatike të saj.
Këtë muaj, marrësve të fondeve të USAID iu kërkua të justifikojnë vlerën e tyre tek institucionet amerikane përmes disa pyetësorëve, që mes të tjerash kërkojnë të dhëna nëse programi ndihmoi në kufizimin e emigracionit ilegal apo për të siguruar minerale të rralla tokësore.