Kievi e ka akuzuar Moskën të dielën se ka kryer “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, gjatë një vale sulmesh të natës që gjithashtu goditën një qendër tregtare, ndërtesa banimi dhe shënjestra të tjera, duke vrarë të paktën dy njerëz, sipas autoriteteve.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës e akuzoi Rusinë për “shkelje të normave të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në këtë sulm, të cilin e dënoi si “bombardim të qëllimshëm dhe të synuar”.

Në mesin e viktimave janë edhe ushtarakë që po mjekoheshin në qendrën mjekësore, sipas tyre.

Një orë para sulmit në Harkiv, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi pret reagim të fortë nga vendet perëndimore ndaj sulmeve pothuajse të përditshme të Rusisë në territorin e tij.

“Partnerët tanë duhet ta kuptojnë qartë: Këto sulme nuk janë vetëm sulme ndaj civilëve ukrainas, por edhe ndaj të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare – ndaj vetë diplomacisë që po përpiqemi të përdorim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video.

Përveç sulmeve në Harkiv, autoritetet ukrainase thanë se Rusia shkrepi një raketë balistike dhe lëshoi dronë si pjesë e një breshërie sulmesh që goditën gjithashtu qytetet Dnipro, Krivi Rih dhe Poltava.

Në përgjithësi, autoritetet ukrainase thanë se sulmet gjatë natës vranë të paktën dy njerëz dhe plagosën 26 të tjerë në mbarë vendin.

Zelensky nënvizoi se propozimi amerikan për një armëpushim pa kushte ka qenë mbi tryezë për kohë të gjatë “pa një përgjigje të duhur nga Rusia”.

“Kjo tregon shumë”, sipas tij.

Rusia ka kryer sulme të mëdha vdekjeprurëse në 24 orët e fundit.

“Rusia po godet pozicionet e të gjithë atyre që duan ta përfundojnë këtë luftë. Është e pamundur të injorohen qindra dronë Shahed çdo natë”, shtoi ai, duke iu referuar dronëve të prodhuar nga Irani.

Në anën tjetër, Rusia pretendoi se i ka pushtuar edhe dy fshatra të tjerë në lindje dhe jug të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll fshatra në rajonin jugor të Zaporizhjas dhe në rajonin lindor të Donjeckut. Pretendimet e Rusisë nuk ka qenë e mundur të verifikoheshin menjëherë./REL