Qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.
Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.
“Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha Dijana Pellinkoviq, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.
Sipas saj, banorët e Ulqinit nuk janë kundër progresit, por janë kundër projekteve megalomane që fshijnë identitetin lokal.
“Komuniteti ynë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërin kundër centralizmit”, tha përfaqësuesi i qiramarrësve, Albert Kastrati.
Ai vlerësoi se tenderi për qiramarrjen e plazheve ka diskriminuar qiramarrësit vendas dhe ka favorizuar investitorët e huaj.