Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq të vendit tonë, sot në Universitetin e Tetovës u organizua panel diskutimi dhe u bë promovimi i platformës për bashkëpunim ndërmjet Kryqit të Kuq dhe komunitetit universitar. Kjo platformë ndër të tjera përfshin studentët dhe stafin në aktivitete humanitare përmes kërkimeve dhe projekteve praktike; zhvillimin e programeve të përbashkëta për menaxhim emergjencash, ndihmë të parë dhe mbështetje psikosociale si dhe studim shkencor të sfidave humanitare dhe hartimin e strategjive inovative sociale.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se Kryqi i Kuq ka një histori të gjatë shërbimi dhe mobilizimi në ndihmë të të gjithë atyre që ndodhen në situata të vështira, duke patur gjithmonë parasysh misionin e tij fisnik: të ndihmojë njerëzit në nevojë, pa dallim race, etnie apo bindjesh. Kësisoj, një aspekt i veçantë i punës së Kryqit të Kuq është bashkëpunimi i tij me institucionet arsimore, përfshirë Universitetin e Tetovës. “Ky bashkëpunim është një model i shkëlqyer i ndërveprimit midis organizatave humanitare dhe institucioneve akademike, ku të rinjtë edukohen jo vetëm për njohuritë profesionale, por edhe për ndjenjën e humanizmit dhe përgjegjësisë shoqërore. Nëpërmjet këtij partneriteti, studentët kanë mundësinë të marrin pjesë në trajnime për ndihmën e parë, të angazhohen si vullnetarë në aktivitetet e Kryqit të Kuq dhe të kontribuojnë në fushata të ndryshme për të ndihmuar shoqërinë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës ka dhënë rezultate të shkëlqyera. Për më tepër, Kryqi i Kuq dhe Universiteti i Tetovës deri më tani kanë organizuar rregullisht fushata për dhurimin e gjakut, duke ndërgjegjësuar të rinjtë mbi rëndësinë e kësaj vepre humane, që shpëton jetë çdo ditë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është përfshirja e studentëve në aktivitete vullnetare, ku ata kanë mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt dhe të zhvillojnë ndjenjën e solidaritetit dhe humanizmit.”- tha mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Dr. Sait Saiti foli mbi përvojat dhe praktikat e mira nga bashkëpunimi i mëparshëm si bazë për zhvillimin e mjeteve, strategjive dhe njohurive të reja për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. “Sot jemi këtu me një dëshirë dhe vullnet të mirë nga ana e Kryqit të Kuq që atë që jemi si organizatë të mund ta begatojmë me një fillim të ri, që nënkupton një bashkëpunim më intensiv dhe të ndërsjellë me universitetet shtetërore parimisht, pastaj edhe me të gjitha universitetet e tjera në RMV. Mendimi ynë është se në universitete ekziston potencial, i cili neve na mundëson ta përtërijmë aktivitetin dhe veprimtarinë tonë. Atë që na përket neve si organizatë, që nënkupton ndihmat humanitare, duhet ta plotësojmë edhe në aspekte tjera të veprimtarive, që nënkupton një ambicie të re tonën që të paraqitemi ose të marrim rolin e një organizate më avangarde në shtetin tonë, me qëllim që ta marrim përgjegjësinë për një pjesë të ndodhive ose një pjesë të ardhmërisë së shtetit tonë.”- tha mes tjerash Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Dr. Sait Saiti.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Brikend Aziri dhe Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Dr. Sait Saiti, i elaboruan në hollësi pikëpamjet e tyre dhe shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit, ndërsa në përmbyllje, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati prezantoi temën për krijimin e mekanizmave të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët ndërmjet të dy institucioneve. Këtë panel diskutimi e moderuan profesori dhe ish-dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani dhe Prof. Dr. Nikolla Dujovski nga Kryqi i Kuq.
Duhet theksuar se, Universiteti i Tetovës dhe Parlamenti Studentor i UT-së, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ose me vetë iniciativë ndër vite ka realizuar dhjetëra aksione humanitare siç janë: ofrimi i ndihmave për vëllezërit nga Republika e Kosovës në vitin 1999, në Kampin e Stenkovecit në Shkup; në vitin 2015 pas vërshimeve në Shipkovicë, Reçiçë dhe rajonin e Shkupit dhe lirimin nga participimi të studenteve nga këto rajone; ndarja e ndihmave të ndryshme por edhe financiare pas tërmetit në Shqipëri në vitin 2019 dhe tërmetit në Turqi në vitin 2023; po ashtu UT i ka mbështetur aksionet e përvitshme për dhurimin e gjakut të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, si dhe shumë aktivitete tjera publike që kanë të bëjnë me kontrolle shëndetësore falas të realizuar nga studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore.