Ushtria izraelite ka lëshuar të hënën urdhra gjithëpërfshirës evakuimi që mbulojnë pjesën më të madhe të Rafahut, duke treguar se së shpejti mund të nisë një tjetër operacion të madh tokësor në qytetin më jugor në Rripin e Gazës.

Izraeli i ka dhënë fund armëpushimit me grupin militant Hamas dhe ka rikthyer luftën e tij ajrore dhe tokësore në fillim të këtij muaji.

Në fillim të marsit, ajo ka ndërprerë të gjitha furnizimet me ushqim, karburant, ilaçe dhe ndihma humanitare për rreth 2 milionë palestinezë të territorit, për t’i bërë presion Hamasit që të pranojë ndryshimet në marrëveshjen e armëpushimit.

Urdhrat e evakuimit janë lëshuar për të gjithë qytetin dhe zonat përreth. Ushtria ka urdhëruar palestinezët të shkojnë në Muwasi, një shtrirje e kampeve me tenda përgjatë bregut.

Urdhrat janë lëshuar gjatë Fitër Bajramit, një festë myslimane që shënon fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit.

Izraeli ka nisur një operacion të madh në Rafah, në kufirin me Egjiptin, majin e kaluar, duke lënë pjesë të mëdha të tij në gërmadha.

Izraeli duhej të tërhiqej nga korridori sipas armëpushimit që ka nënshkruar me Hamasin në janar nën presionin e SHBA-së, por më vonë ka refuzuar, duke përmendur nevojën për të parandaluar kontrabandën e armëve.

Izraeli është zotuar të intensifikojë operacionet e tij ushtarake derisa Hamasi të lirojë 59 pengjet e mbetura që mban, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Izraeli ka kërkuar gjithashtu që Hamasi të çarmatoset dhe të largohet nga territori, kushte që nuk ishin përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit dhe që Hamasi i ka refuzuar.