Të paktën 13 persona janë vrarë në sulmet ajrore gjatë natës në Gazë, pasi Izraeli njoftoi rinisjen e operacioneve luftarake, raporton BBC.

Dy civilë u vranë dhe pesë u plagosën nga një dron izraelit pranë zonës humanitare Muasi, sipas agjencisë palestineze Wafa. Ushtria izraelite tha se kishte goditur një objekt ushtarak të Hamasit nga ku po përgatitej një sulm ndaj Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se luftimet do të rifillonin me “forcë të plotë” dhe se “ky është vetëm fillimi”.

Bombardimet nuk janë në të njëjtën shkallë si të martën, kur Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se u vranë mbi 400 njerëz – por tregojnë se sulmi i ri i Izraelit nuk po ndalet.

Netanyahu tha se objektivat e Izraelit mbeten kthimi i pengjeve dhe eliminimi i Hamasit, por familjet e pengjeve e kritikuan këtë vendim, duke e parë si braktisje të të dashurve të tyre. Izraeli thotë se Hamasi ende mban 59 pengje, nga të cilët 24 besohet se janë gjallë.

Egjipti e quajti sulmin një “shkelje flagrante” të armëpushimit. Ministria e Shëndetësisë në Gazë ende nuk ka dhënë një numër të saktë të viktimave të fundit.

Ndërkohë, ndërmjetësit rajonalë po përpiqen të bindin Hamasin të lirojë disa pengje izraelite në këmbim të uljes së tensioneve, por Netanyahu ka deklaruar se çdo bisedim armëpushimi do të zhvillohet “nën zjarr”.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael shkaktoi rreth 1.200 viktima dhe rrëmbimin e 251 pengjeve. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë të gjerë ushtarake, e cila sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, ka vrarë mbi 48.500 palestinezë dhe ka shkatërruar infrastrukturën në shkallë të gjerë.