Përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse është thelbësore për një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe të zhvilluar, kështu ka deklaruar zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi pas takimit të sotëm me Edlira Çepanin, aktiviste dhe udhëheqëse e Rrjetit të Grave të Shqipërisë “Barazi në Vendimarrje”.

“Me Zonjën Çepani diskutuam rëndësinë e fuqizimit të grave dhe përfshirjes aktive të grave në politikë. Ky angazhim është jetik për të siguruar mundësi të barabarta dhe për të garantuar që gratë të kenë ndikim në politikat që formojnë të ardhmen e shoqërisë”, tha Azizi pas takimit që u realizua në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas-8 Marsit.

Ajo më tej ka thënë se përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse është thelbësore për një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe të zhvilluar.

“Gratë, si gjysma e popullsisë, sjellin ide dhe perspektiva kyçe për zhvillimin e shoqërisë. Pa pjesëmarrjen e barabartë të tyre, nuk mund të arrihet potenciali i plotë i shoqërisë. Studimet dhe hulumtimet shkencore kanë treguar se pjesëmarrja e grave në politikë dhe ekonomi ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë”, ka deklaruar zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi.