Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur për sulmin e sotëm me dron rus në Kiev, i cili vrau tre persona, përfshirë një fëmijë pesëvjeçar. Në një mesazh në platformën X, ai ka trajtuar edhe ecurinë e negociatave me delegacionin amerikan në Arabinë Saudite.
“Sonte në Kiev, për fat të keq, tre persona u vranë në një sulm me dron rus, duke përfshirë një baba dhe vajzën e tij pesëvjeçare. Vetëm një ditë më parë në Zaporizhia, një sulm rus vrau një familje të tërë – një nënë, baba dhe vajzën e tyre. Unë shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha familjet dhe të dashurit”, tha Zelensky.
“Duhet të bëhet më shumë presion ndaj Rusisë për të ndalur këtë terror. Dhe kjo varet nga të gjithë partnerët tanë – SHBA, Evropa dhe të tjerët në mbarë botën. Pas takimit të fundit në Jeddah, u bë plotësisht e qartë për të gjithë botën: Rusia është ajo që po e zvarrit këtë luftë, e vetmja që e filloi atë dhe e vetmja që kujdeset për vazhdimin e saj.”
“Sulmet mund të ishin ndalur, por Rusia vazhdon çdo natë”
“Që nga 11 marsi, një propozim për një armëpushim të pakushtëzuar ka qenë në tryezë – dhe këto sulme mund të kishin ndalur deri tani. Por është Rusia ajo që vazhdon gjithë këtë. Çdo natë, çdo ditë, ajo kryen sulmet më cinike. Pa presion ndaj Rusisë, ata në Moskë do të vazhdojnë të tregojnë përbuzje për diplomacinë dhe të vazhdojnë të shkatërrojnë jetë”, tha ai.
Zelensky njoftoi se sot po zhvillohet takimi i dytë i delegacionit ukrainas dhe amerikan në Arabinë Saudite, kësaj radhe në nivel teknik, me pjesëmarrjen e ushtrisë, diplomatëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Energjisë së Ukrainës.
“Kam biseduar me ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili më informoi për takimin dhe ecurinë e negociatave. Ekipi ynë po punon plotësisht në mënyrë konstruktive dhe diskutimi është shumë i dobishëm. Puna e delegacioneve vazhdon”, tha Zelensky.
“Por pavarësisht se çfarë po diskutojmë aktualisht me partnerët tanë, Putini duhet të detyrohet të lëshojë një urdhër të vërtetë për të ndaluar sulmet – ai e filloi këtë luftë, kështu që ai duhet ta ndalojë atë”, përfundoi presidenti ukrainas.
Last night in Kyiv, tragically, three people were killed by Russian drones, including a father and his five-year-old daughter. Just a day earlier in Zaporizhzhia, a Russian strike took the lives of an entire family—a mother, a father, and their daughter. My condolences to all the… pic.twitter.com/hB6R5yn9gV
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) March 23, 2025