Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij dëshiron paqe, por jo që kostoja të jetë “heqja dorë nga Ukraina”.
Ai u takua të enjten me liderët evropianë në Bruksel, ku u shpreh se që prej fillimit të luftës e ka dëshiruar paqen.
Zelensky u ka kërkuar kombeve evropiane që të vazhdojnë të përfshijnë Ukrainën në negociata të paqes, derisa ai mirëpret “Planin e riarmatimit të Evropës”. Lideri ukrainas mirëpret gjithashtu përpjekjet e vendeve evropiane për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje.
Ai i ka përsëritur thirrjet që negociatat e paqes të jenë me një garanci për armëpushim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy, ka paraqitur në rrjetin social X, hapat e nevojshëm për të arritur paqen e qëndrueshme në mes të Ukrainës dhe Rusisë, raporton BBC.
1. Hapi i parë është armëpushimi në ajër dhe në det
2. Hapi i radhës është lirimi i të gjithë të burgosurve të luftës si mënyrë për të ndërtuar besim
Zelensky ka nënvizuar se duhet të ketë “besim” në negociatat e ardhshme, dhe ka bërë me dije se lirimi i të burgosurve mund të kontribuojë në atë drejtim.
“Kjo duhet të bazohet në kuptimin se çdo armëpushim ose masë për ndërtimin e besimit mund të shërbejë vetëm si një prolog për një zgjidhje të plotë dhe të drejtë, për një marrëveshje të gjithanshme mbi garancitë e sigurisë dhe mbarimin e luftës”, ka thënë Zelensky.
Presidenti ukrainas ka thënë se është mirënjohës për mbështetjen që ka marrë deri tani, duke shtuar se populli i tij e vlerëson që “Evropa po provon të bëjë gjënë e duhur”.