Lideri i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi ka dërguar një telegram urimi me rastin e Festës së Fitër Bajramit.
Me këtë rast, Ibrahimi lutet që sofra e Bajramit të mos jetë e mbushur vetëm me ushqim, por edhe me dashuri familjare.
Në vijim urimi i plotë:
Pas një muaji të kaluar me agjërim, përkushtim, solidaritet, dashuri dhe meditim, po vjen dita e Bajramit, në të cilën arrihet pika kulmore e kësaj përpjekjeje shpirtërore.
Nëse agjërimin e Ramazanit e krahasojmë me një vepër të bukur artistike, Bajrami është pikërisht katarza në të cilën shpirti gufon me emocionin e fuqishëm të dashurisë dhe ndjenjën e bukur të ngadhënjimit. Duke e kaluar një muaj në edukim të shpirtit, sot besimtari që ka agjëruar e ka ndjenjën e atij që ia ka arritur ta mposhtë egon dhe, përkundër fitores së korrur, ai këndon “Uela galibe il-Allah – Ngadhënjyesi i vetëm është Allahu”.
Duke u lutur që Zoti ta ketë pranuar agjërimin, si dhe duke u lutur që sofra juaj e Bajramit të mos e jetë e mbushur vetëm me ushqim, por edhe me dashuri familjare, si dhe me solidaritet e kujdes për skanmorin, ju uroj nga zemra:
E gëzofshi Bajramin e Madh!