Për herë të parë që nga vitet 1940, mbi 40 për qind energjisë elektrike në botë në vitin 2024 u prodhua nga burime të pastra, pa djegien e lëndëve fosile. Kjo është një arritje e rëndësishme që vjen nga një raport i fundit i think-tank-ut ndërkombëtar “Ember”.

Energjia diellore vazhdon të jetë forca lëvizëse e këtij revolucioni energjetik. Sipas raportit, prodhimi i saj është dyfishuar çdo tre vjet që prej vitit 2012 dhe më shumë se gjysma e rritjes në vitin 2024 ndodhi në Kinë. India gjithashtu dyfishoi kapacitetin e saj brenda një viti.

Por ndërkohë që energjia e pastër rritet, konsumi global i elektricitetit po rritet edhe më shpejt – sidomos për shkak të valëve të nxehtësisë që kanë shtuar përdorimin e kondicionerëve. Kjo ka detyruar shumë vende të rrisin përdorimin e centraleve me qymyr dhe gaz natyror.

Rezultati? Emisionet e dioksidit të karbonit arritën në 14.6 miliardë tonë – niveli më i lartë ndonjëherë. Vetëm në vitin 2024, prodhimi nga qymyri u rrit me 1.4%, ndërsa nga gazi me 1.1%.

Ekonomitë me rritje të shpejtë në Azi, si Kina dhe India, vazhdojnë të përdorin karburantet fosile për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje për energji. Kjo po pengon uljen e emetimeve globale, pavarësisht përparimeve në teknologji të pastra.