BE ka ndëshkuar gjigantët amerikanë të teknologjisë, Apple dhe Meta, me një gjobë prej 700 milionë eurosh për shkelje të të tregjeve dixhitale. Të dy kompanitë e kanë kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar të padrejtë dhe kanë paralajmëruar apelim. Ndërkohë, Komisioni Evropian theksoi se këto masa janë të domosdoshme për të garantuar respektimin e Aktit të Tregjeve Dixhitale dhe për të mbrojtur konkurrencën e ndershme në treg.

Bashkimi Evropian ka gjobitur dy nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë amerikane, Apple dhe Meta, me një total prej 700 milionë eurosh.

Ky është zbatimi i parë i Aktit të Tregjeve Dixhitale (DMA), ligj ky që synon të vendosë rregulla më të forta për kompanitë e mëdha teknologjike dhe të garantojë një treg të drejtë për të gjithë aktorët. Komisioni Evropian njoftoi se Apple do të paguajë 500 milionë euro, ndërsa Meta 200 milionë euro.

Sipas hetimeve të Komisionit, Meta ka shkelur DMA duke mos ofruar një alternativë reale pa pagesë për përdoruesit që nuk dëshirojnë përpunimin e të dhënave të tyre personale.

Në vitin 2023, kompania prezantoi një model “pëlqimi ose pagese”, i cili u jepte përdoruesve evropianë vetëm dy zgjedhje: të pranonin reklama të personalizuara ose të paguanin për versione pa reklama të Facebook dhe Instagram. Komisioni vlerësoi se kjo praktikë nuk përputhej me kërkesat për mbrojtjen e privatësisë dhe zgjedhjes së lirë.

Apple, nga ana tjetër, është ndëshkuar për kufizimet që vendos ndaj zhvilluesve të aplikacioneve në App Store.

Komisioni Evropian konstatoi se kompania nuk i lejon zhvilluesit të informojnë përdoruesit për mundësi alternative jashtë platformës së saj, duke penguar kështu konsumatorët të përfitojnë nga oferta më të lira. Kjo konsiderohet një shkelje e drejtpërdrejtë e rregullit të “drejtuesit” të përfshirë në DMA.

Kompanitë e gjobitura e kanë kundërshtuar vendimin. Meta e cilësoi gjobën si një tarifë e padrejtë miliarda dollarëshe që do të ndikojë negativisht në modelin e saj të biznesit dhe cilësinë e shërbimit.

Apple, ndërkohë, deklaroi se ka bërë ndryshime të shumta teknike për të përmbushur kërkesat e ligjit, por se Komisioni po “lëviz vazhdimisht pikat e synimit”. Të dy kompanitë kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin në gjykatë.

Komisioni Evropian ka sqaruar se gjobat janë vendosur në përputhje me seriozitetin dhe kohëzgjatjen e shkeljeve dhe se Apple dhe Meta kanë 60 ditë afat për të kryer pagesën.

Në rast se nuk respektojnë afatin, ato rrezikojnë sanksione të mëtejshme financiare.

Ky vendim shënon një precedent të rëndësishëm në përballjen e BE-së me gjigantët globalë të teknologjisë dhe sinjalizon një epokë të re të mbikëqyrjes së rreptë të tregut dixhital evropian.