Albulena Haxhiu sërish dështon të marrë besimin për kryetare të Kuvendit

Kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur as për herën e tretë që të marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit.

Nga tentimi i kësaj radhe, Haxhiu mori 57 vota pro, 46 kundër dhe 3 abstenime.

“Beteja për numrat vjen atëherë kur flasim për Qeverinë”, thotë Peci pas dështimit të seancës

Deputeti i zgjedhur Faton Peci ka thënë se është optimist se opozita do të reflektojë.

Ai pas dëshmit të seancës së sotme konstituive tha se beteja për numrat vjen atëherë kur sipas tij flitet për Qeverinë, njofton Klankosova.tv.

“Beteja për numrat do të vie atëherë kur ne mund të flasim për Qeverinë. Kontestimi i emrit është formë dhe metodë që opozita po e përdorë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re”, shtoi ai.

Haxhiu për akuzat rreth gjuhës së saj: S’kam pasur kurrë funksion unifikues – kam qenë opozitare

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se është ballafaquar me gjuhë të ashpër ditëve të fundit, që kur është propozuar nga LVV-ja për kryetare të Kuvendit.

Në një paraqitje për mediat pas mbylljes së punimeve të seancës së sotme konstituive, Haxhiu tha se kjo gjuhë dekurajon gratë tjera të merren me politikë.

“Që nga 15 prilli, Kuvendi mbetet i bllokuar, herë me raportin e verifikimit të mandateve, e tash me emrin tim për kryetare të Kuvendit. Duhet ta keni parasysh se aktgjykimi i Kushtetueses i jep të drejtë partisë fituese të dalë nga zgjedhjet që të bëjë propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe këtë të drejtë nuk ia jep opozitës. Duhet të kuptohen forcat politike në Kuvend, të mishërohet vullneti i popullit, të cilët e kanë mbështetur fuqishëm LVV-në. Ne kemi shumë vullnet për të ecur përpara, por nuk mund të na imponojnë emra”.

“Ajo me çka unë jam përballur gjatë kësaj kohe, ‘është figurë përçarëse, është konfliktuoze, është monstrum politik, është terroriste politike, është specie e përçudnuar’. Së pari kjo gjuhë është e papranueshme, jo vetë që po bëhet ndaj meje, por ndaj kujtdoqoftë. Shqetësimi im është që kjo gjuhë denigruese, mizogjene, seksiste i dekurajon gratë të merren me politikë sepse kur shohin përbaltjet e grave, natyrisht që pastaj mendojnë mirë se a të merren me politikë. Unë asnjëherë nuk kam pasur një funksion unifikues”.

“Kam qenë më shumë se 10 vite deputete e opozitës, gati 5 vite ministre e drejtësisë, dhe kam pasur përballje politike, por gati 15 vite aktivitet politik, asnjëherë nuk kam votuar për diçka që bie ndesh me qytetarët, me republikën, as nuk kam votuar Gjykatën Speciale, as marrëveshjen e prillit që parasheh asociacionin, dhe jam krenare për veprimet e mia publike, por nuk është në rregull të më akuzojnë për diçka që nuk kam pasur, pra funksion unifikues nuk kam pasur”.

“Natyrisht se nëse këta vendosin të japin mbështetjen për mua si kryetare e kuvendit, mandej mund të flasim pasi ta kem unë këtë pozitë”, deklaroi Haxhiu.

Kusari-Lila: Haxhiu ka 3 herë më shumë vota se Haradinaj e 30 mijë më shumë se Krasniqi

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka bërë një përmbledhje të veprimtarisë të deputetes Albulena Haxhiu.

Pas mbylljes së punimeve të seancës konstitive, Kusari-Lila tha se Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se ka më shumë vota se shumë nga partitë tjera që deri dje ishin në opozitë.

“Jam këtu të deklaroj se lehtësia me të cilën po gjykohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së LVV për kryetare të Kuvendit, është tërësisht i papranueshëm për ne. Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 125 mijë vota, apo 3 herë më shumë vota se zoti Haradinaj, apo dy herë më shumë se tërë grupi parlamentar i AAK-së që kanë qenë bashkë. Pesha politike, legjitimiteti i zonjë Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme. Gjithashtu, nëse krahasohet me vetë liderin e opozitës, zoti Memli Krasniqi, zonja Haxhiu është 30 mijë vota para zotit Krasniqi”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo tha se Haxhiu po kategorizohet në mënyrë mizogjene.

“Haxhiu ka qenë mbi 11 vite deputete e Kuvendit. Roli i saj nuk ka qenë unifikues me thirrje, por ka qenë opozitare, dhe besoj si opozitare e ka treguar përkushtimin dhe betejën e vazhdueshme për të gjitha kauzat e LVV-së. Edhe në rolin e ministres së Drejtësisë, sërish ka përfaqësuar qeverinë Kurti 2”.

Para mediave, deputetja e LVV-së tha se partia që ajo përfaqëson po kërkon konsensus. /Klankosova.tv

Krasniqi: Pengmarrja institucionale vazhdon – pasojat do të jenë të mëdha për shtetin dhe qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas deklarimit para mediave rreth dështimit të seancës konstituive, bëri edhe një postim në Facebook rreth situatës politike.

Sipas tij, pengmarrja institucionale po vazhdon dhe për këtë, pasojat do të jenë të mëdha, si për shtetin dhe qytetarët.

“73 ditë nga zgjedhjet. 27 ditë pa mandat qeverisës. Zero ditë institucione të reja legjitime dhe demokratike. Bllokuesit po shihen. Përgjegjësia po dihet. Pasojat do të jenë të mëdha – për shtetin dhe qytetarët. Pengmarrja institucionale vazhdon. Për keqardhje”, ka shkruar kreu i PDK-së, njofton Klankosova.tv.

A e voton AAK-ja, Limajn nëse propozohet për kryeparamentar? – Flet Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia të cilën ai e udhëheq nuk do ta votonte as Fatmir Limajn nëse do të propozohej për kryetar të Kuvendit.

“Nuk besoj që e merr votën e Aleancës”, tha ai.

Më tej, kreu i AAK-së tha se nëse VV-ja gjen zgjidhje tjetër ta shohim si do të ecim më tutje, do të ishte në interes të tyre të propozojnë kandidat unifikues dhe të kalojë ky bllokim.

“Sot i është përgjigj përfaqësuesja jonë ftesës së Deharit, Kadrijaja ka qenë. Deri tani u kemi përgjigj çdo ftese të kësaj natyre. Më vjen keq që nuk po ka mirëkuptim edhe nga VV-ja që me u gjet mënyra të kalojmë nga kjo situatë. Jemi të interesuar që të zgjidhjet kryetari dhe nënkryetari dhe të bëhet konstituimi”.

“Deri tani beteja politike nuk është zhvilluar për kryetarin e kuvendit, beteja fillon me konstituimin kuvendit. Qëndrimet tona i dini, jemi për qeverinë e opozitës. Jemi të interesuar për konstituim të kuvendit, të kalohet edhe kjo”.

“Nëse VV gjen zgjidhje tjetër ta shohim si do të ecim më tutje, do të ishte në interes të tyre të propozojnë kandidat unifikues dhe të kalojë ky bllokim”.

“Papajtueshmëria” – Çfarë thotë neni 72 i Kushtetutës, LDK paralajmëron kallëzim penal

Neni 72 i Kushtetutës – LDK-ja po i i referohet “papajtueshmërisë” së funksioneve.

Lidhja Demokratike e Kosovës po i referohet nenit 72 të Kushtetutës së Kosovës për të kundërshtuar kandidaturat e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.

Ky nen thotë se:

“[Papajtueshmëria] Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.” – thuhet në nenin 72 të Kushtetutës së Kosovës, të cilit po i referohet sot LDK-ja, pas dështimit të seancës konstituive, transmeton Klankosova.tv.

LDK-ja thekson se kjo dispozitë është shkelur dhe paralajmëron kallëzim penal ndaj deputetëve që, sipas tyre, nuk e kanë respektuar këtë nen.

Murati: S’jemi të interesuar për bllokada – Kuvendi është shtëpi e deputetëve

Ministri i dorëhequr i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se është Opozita ajo e cila po e bllokon konstituimin e Kuvendit.

Para mediave pas dështimit të seancës konstituive, ai tha se deputetët dështuan që ta konstituojnë kuvendin në mënyrë që të hapet rruga për formimin e institucioneve të tjera, siç është qeveria, njofton Klankosova.tv.

“Ka kundërthenie me sjelljen. Bajrami tha se duhet marrëveshje politike dhe konsensus por dy minuta më parë e njëjta tha që ata nuk bëjnë marrëveshje të tillë. Kjo është sjellja nëse duan të përkufizojnë në një fjali e opozitës. Janë të painteresuar që të konstituohet kuvendi. Nuk duan të hapin rrugë. Pajtohemi që qeveria duhet të formohet nga shumica parlamentare, fituesi i zgjedhjeve merr partner koalicioni nëse ka nevojë, dhe vazhdon qeverisjen”.

“Tek konstituimi është pluralizëm demokratik. Kuvendi është shtëpia e deputetëve të cilët duhet të konstituojnë kuvendin dhe po të ishte ajo që barra i takon vetëm partisë fituese, atëherë do të kishim kryetarin dhe nënkryetarët të partisë fitues. Po shohim kush po e bllokon”, tha ai.

Bajrami (LDK): Kryekuvendari zgjidhet me marrëveshje politike ose me kandidat të pranueshëm (VIDEO)

Shefja e GP të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia që ajo përfaqëson, nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit.

Në një prononcim për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, ajo tha se LVV-ja po tenton të imponojë votën ndaj deputetëve.

“Janë rrethana që nuk po ndryshojnë, ndërsa LVV po kërkon që të ndryshojë dhe të imponohet vota e deputetëve të Kuvendit. Deputeti është i lirë, nuk i nënshtrohet detyrimit. Ne jemi shprehur të gatshëm të kemi marrëveshje politike. Kryetari i Kuvendit zgjidhet në dy forma: ose me marrëveshje politike ose duke sjellë një kandidat që do të ishte i pranueshëm. Ne e kemi potencuar disa herë që për LDK-në nuk ka asnjë kandidat që do ta votonim, pikë së pari për shkak të historisë së tyre, se janë shkelës të Kushtetutës. E keni parë se edhe pas betimit që e kanë dhënë si deputetë, të njëjtit dalin në zyrë dhe i kanë marrë peng institucionet e Kosovës. Këta e kanë shkelur betimin e deputetit dhe rrjedhimisht Kushtetutën e Kosovës. Për këtë, dua të ju informoj se një grup juristësh të LDK-së po përgatit kallëzimin penal, dhe nesër besoj se do ta dorëzojmë”, deklaroi Bajrami.

Seanca e radhës konstituive vazhdon të premten

Seanca e radhës konstituive do të vazhdojë të premten në orën 11:00.

Kështu ka njoftuar kryesuesi i seancës, Avni Dehari, raporton Klankosova.tv.

Limaj: Duhet angazhim për të dalë nga kjo situatë – me Kurtin s’jam takuar
Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, pas ndërprerjes së punimeve të seancës konstitive, tha se konstituimi i Kuvendit ështëlojë nervash, teksa shtoi se i njëjti proces i ka vështirësitë e veta.

“Në ditët në vijim, të gjithë do të angazhohemi të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë. Një gjë duhet ta kemi të qartë: Kosova nuk e ka luksin që të mbetet pa institucione, dhe shpresoj që kjo do të ndodhë”, u shpreh Limaj para gazetarëve.

I pyetur nëse është takuar me Kurtin, ai tha “jo”.

“Kush t’më thirr, ne takohemi për tema nacionale këtu jemi”, deklaroi Limaj.

Bahtiri pas dështimit të seancës: Prita më shumë nga opozita, kjo është përçarje

Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri pas dështimit të seancës ka thënë se ka pritur më shumë nga opozita dhe atë që ndodhi sot, e quajti përçarje.

“Kam pritur më shumë, kjo është përçarje e cila nuk na çon askund”, tha Bahtiri, njofton Klankosova.tv.

“Duhet t’i çojmë proceset përpara sepse na presin shumë punë. Nuk e di çka mendojnë ata mirëpo ne jemi të gatshëm t’i çojmë proceset përpara”, u shpreh më tej ai.

Krasniqi (PDK): LVV ka vendosur ta mbajë peng shtetin për shkak të një emri të përveçëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas ndërprerjes së punimeve të seancës konstituive, tha:

“Është për keqardhje dhe ne po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë nuk e ka pasur Kosova. Kanë kaluar 47 ditë që kur janë certifikuar zgjedhjet, dhe ne ende nuk kemi institucione të themeluara, sepse LVV të cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit, ka vendosur ta mbajë peng shtetin për shkak të tekeve të tyre për një emër të përveçëm”.

“Nëse LVV i ka votat, atëherë mund ta zgjedhin kënd të dëshirojnë, por nuk mund ta imponojnë emrin siç po kërkojnë. Mentaliteti për marrjen e votës me zor”.

NISMA abstenon sërish për Albulena Haxhiu kryeparlamentare

NISMA Socialdemokratike në krye me Fatmir Limajn, bashkë me dy deputetë të tjerë të kësaj partie, kanë abstenuar sërish kur në votim u hodh emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Kështu kjo parti ka vepruar edhe në seancën e kaluar, njofton Klankosova.tv.

Nis seanca konstituive
Sapo ka nisur seanca konstituive e cila ishte paralajmëruar të mbahej në orën 10:00.

Mirëpo para nisjes së seancës, deputeti i VV-së, kryesues i seancës Avni Dehari ka thirrur në takim subjektet politike.