Gjykata Penale e Shkupit ka caktuar paraburgim 30 ditor për Angel Saramakov, ish-truproje i kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili dyshohet për shpërndarjen e informacioneve sekrete shtetërore grupit të Gërçecit. Ai mund të përballet me dënim deri në 20 vjet burg.

Gjykata Penale e Shkupit i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, Angel Saramakov, polic nga Drejtoria e 6-të e MPB-së, i cili deri dje ishte pjesë e sigurimit të kryeministrit Hristijan Mickoski. Saramakov dyshohet për veprën penale “zbulimi i sekretit shtetëror” për përfitim ose shfrytëzim të të dhënave jashtë vendit, për të cilin dënimi minimal është 1 vit, ndërsa nuk parashikohet maksimumi dhe mund të shkojë deri në 20 vjet burg. Saramakov u arrestua në Veles së bashku me një person tjetër dhe me një çantë shpine të mbushur me dokumente zyrtare policore. Informacionet sekrete dyshohet se i ka ndarë me grupin e Gërcecit.

Nga LSDM thonë se nën presion të opinionit MPB u detyrua të njoftojë për arrestimin e truprojës së kryeministrit.

“Por ajo që MPB-ja nuk e thotë, ajo që mbetet mister është se si pjesëtari i sigurimit, të cilin e ka emëruar vetë Mickoski, nuk ka pasur qasje deri tek informacionet sekrete, kush ia dha atij informacionet dhe sa larg do të shkojë ky hetim. Nga ajo që kemi parë deri më tani dhe se definitivisht siguria personale e Mickoskit, pra siguria që ai zgjedh, janë të lidhura me shumë skandale që shtrojnë pyetjen se kush drejton dhe komunikon me kartelët e drogës në vend. Ju kujtohet rasti kur paraprakisht një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit pengoi një polic në aksion kur do të ndalohej droga në një nga kafenetë në Shkup, që do të thotë se MPB-ja është e obliguar të përgjigjet dhe të thotë se si e ka marrë informacionin dhe kush e ka urdhëruar t’i japë informacion këtij grupi sepse ai vetë nuk ka pasur qasje në informata.” thonë nga LSDM.

Ndërsa nga VMRO thonë se pavarësisht nëse ka qenë anëtar i LSDM-së, VMRO-DPMNE-së apo sigurim i kryeministrit, për kriminelët nuk do të ketë mëshirë.

“Ne e kuptojmë se pas gjithçkaje që i kanë bërë Maqedonisë, LSD-ja e ka të vështirë të kuptojë luftën kundër krimit. Kur ishte hera e fundit që u arrestua një anëtar i sigurimit të kryeministrit? Dhe le të kujtojmë se Zaev dhe LSD kishin “Sasho do të qëlloj”, atëherë një truprojë e kryeministrit me origjinë nga Strumica, me disa raportime për dhunë të rëndë, që mbetën të pandëshkuar. LSD-së nuk i pengonte që BDI sundonte rrugët e Shkupit dhe bashkë me grupet mafioze që tani janë prapa grilave bënin çfarë donin dhe shkatërronin jetë në të gjithë kryeqytetin me shantazh, drogë, vrasje, fajde në atë kohë LSD heshti dhe bashkëpunonte me ta, por tani ju pengon se kushdo që sillet në mënyrë të papërgjegjshme në shërbimin po arrestohet”, thonë nga VMRO.

Saramakov ishte pjesë e sigurisë të kryeministrit Mickoski pas marrjes së pushtetit dhe emërimit të tij për kryeministër.