Aleksandar Gjorçevski sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup tha se nuk ka absolutisht asnjë përfshirje dhe se as i njeh dhe as nuk mund t’i shohë të akuzuarit në rastin e vrasjes së vajzës së tij Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Vladimir Tufegxhiq, Gjorçevski sot i rraskapitur dhe në detaje e përshkroi jetën e tij, marrëdhënien me familjen, momentet kur Vanja u zhduk dhe marrëdhëniet e tij me policinë gjatë hetimeve.

Gjyqi vazhdon të premten me pyetje të tërthorta nga prokuroria. Pas dëshmisë së Gjorçevskit, është paraparë të dëshmojë edhe akuzuari Ljupço Palevski.

Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij Citroen, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi, u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesi.