Pas ngjarjeve të fundit, ku Ministria për Punë të Brendshme ka thirrur në bisedë informative të gjithë ish-ministrat e Ekonomisë që nga viti 2012 kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga partia e Ahmetit thonë se shqiptarët po sulmohen nga shteti. Tutje integristët theksojnë se “kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale”!

Reagimi i plotë i BDI-së.

“Sot, populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të tij, të cilat janë plotësisht të kapura nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë.

Për t’u mbrojtur, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Shtetit e kanë drejtuar njëanshëm hetimin kundër shqiptarëve që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë.

Deklarojmë qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur një agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për BDI-në, partitë shqiptare në pushtet, apo shqiptarët në përgjithësi.

Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale!

BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.