“Me cilën opozitë do të bëj debatin publik?” Këtë përgjigje i dha kryeministri Edi Rama pyetjes së një komentuesi i cili e pyeti për një debat publik me Sali Berishën, pas kërkesës nga ky i fundit. Në rubrikën Sy m’sy me ndjekësit në Facebook, kreu i qeverisë tha se debatin publik e zhvillon prej vitesh në sy të të gjithëve.

“Me cilën opozitë do të bëj debatin publik? Kam vite që e bëj debatin në publik në sy të të gjithëve. Për cilën opozitë e ke fjalën? Nuk e kuptoj këtë”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Rama iu përgjigj komentuesve edhe për replikat dhe epitetet që i ka vendosur PD-së dhe Sali Berishës, duke i quajtur herë pas herë buf kënetash. Ai theksoi se nuk i thotë kundërshtarit as mafioz as hajdut, por ka mënyrën e tij për t’i sfiduar.

“Nuk e di për ca bullizimi është fjala. Humori është diçka shumë serioze dhe është pjesë e mënyrës së komunikimit, unë nuk shaj, unë nuk leh, nuk i them kundërshtarit as mafioz, as kriminel, as hajdut, se këto janë akuza penale dhe janë brutalitete për rrugeçër, nuk janë mënyrë komunikimi në publik. Kam mënyrën time për të mos u lënë kusur kundërshtarëve. Ata që ndihen të bullizuar nga satira, duhet ta llogarisin se si duhet të ndihet dikush që vihet në mënyrë të vazhdueshme në shënjestër me të gjitha fjalët më të ndyra të shqipes dhe me brutalitetet më të mëdha të shqipes. Bëni një llogari dhe shihni si ju del”.